“Kur na gjuajtën, Leonora Jakupi ishte në makinë”, dëshmia për atentatin ndaj Ahmet Krasniqit

  • A.P /
  • 13 October 2020 - 18:07
“Kur na gjuajtën, Leonora Jakupi ishte në makinë”, dëshmia për atentatin ndaj Ahmet Krasniqit

Ish-ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Kolonel Ahmet Krasniqi është vrarë në Tiranë më 21 shtator 1998. Derisa kanë kaluar 22 vjet nga vdekja e tij, ende nuk është zbardhur ky rast. Rreth vdekjes së tij, në  emisonin N’Konak ka folur këshilltari  i Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Flamur Gashi.

Gashi tregoi se si është tentuar për herë të parë vrasja e kolonel Krasniqit, që sipas tij, ishte sinjal i qartë se diçka e rëndë po ndodh. Ai është i bindur se kolonel Krasniqi është vrarë që të mos ndodhë një unifikim i faktorit ushtarak dhe politik i Kosovës.

Atentati i parë ka qenë në 10 ditëshin e fundit të muajit prill të vitit 1998. Prezent ishte  edhe vetë Gashi dhe këngëtarja Leonora Jakupi.

“Ka pasur trysni, ka pasur problem. Fatkeqësisht unë kam qenë më të në atentatin e parë kur i është bërë. Atentati i parë na është bërë gjatë rrugës së kthimit nga Tropoja në Tiranë. Sa kemi zbritur nga trageti që vjen nga Tropoja e këndej, pa kaluar as 3 km. kam qenë unë dukë vozit, në krahun e djathtë ka qenë, Kolonel Ahmet Krasniqi. Prapa ka qenë këngëtarja Leonora Jakupi dhe Hilmi Nebihu i cili ishte oficer madhor. Na kanë ndalë, nuk kanë dasht me na vra. Kanë gjujt neve, na kanë marrë makinën dhe na kanë lënë në mes të rrugës. Ky ka qenë sinjal i qartë se diçka e rëndë po ndodh”, tha Gashi.

Gashi tregoi edhe për vizitën e fundit që bëri Kolonel Krasniqi dy ditë para se të vdiste.

“Ahmeti para se të vritej ka qenë në  vizitë në zonat e Veriut. E kanë çarmatosur në Kukës, ushtria shqiptare dhe ndonjë patriot komandant i Ushtrisë Shqiptare që tani flet shumë se sa e ka ndihmuar luftën e Kosovës, por de facto janë pikëpytje të mdhaja këto punë, se koha do t’i tregojë”, tha Gashi.

Kolonel Krasniqi pasi arriti në Tiranë nga kjo vizitë në zonat e Veriut, dy ditë më pasë është vrarë. Gashi thotë se kontaktin e fundit me të e ka pasur dy orë para se ai të vritej.

“Nuk do të dua të spekulojë se kush e si e ka vrarë. Vrasja e Ahmet Krasniqit ka qenë vrasje për Kosovën, ka qenë vrasje e unitetit faktorit ushtarak dhe politik të Kosovës. Unë kam bindje se ai është vrarë që të mos ndodhë një unifikim i faktorit ushtarak dhe politik i Kosovës”, tha Gashi.

Ai tha se shpifjet përveçse e vranë atë u munduan ta bënin edhe tradhtarë, por sipas Gashit, që të flasësh për Kolonel Krasniqin duhet që ta njohësh fillimisht atë.

Derisa Gashi tha se vrarësi i Kolonel Ahmet Krasniqit nuk e ka dashur çlirimin e Kosovës dhe bashkimin e shqiptarëve, shtoi se ju takon insticioneve të Kosovës që t’i bëjnë trysni institucioneve të Shqipërisë për zbardhjen e këtij rasti. 

(Kosova Sot Online)