“Nuk lejojmë që ta djegin si qen”, familja sulmon morgun për të rrëmbyer kufomën e të afërmit

  • E.K /
  • 15 October 2020 - 12:54
“Nuk lejojmë që ta djegin si qen”, familja sulmon morgun për të rrëmbyer kufomën e të afërmit

Familja e një pensionisti që ndërroi jetë nga koronavirusi ka hyrë me forcë në morgun e spitalit për të rrëmbyer kufomën që do të digjej në krematorium për të respektuar protokollin kundër Covid.

Ngjarja ka ndodhur në Tartagal të Argjentinës. Në video shihen rreth 20 njerëz që po dalin nga morgu duke mbajtur trupin e të moshuarit me barrelë. Ata e vendosin kufomën në një kamionçinë për ta dërguar në shtëpi që ta varrosin siç duhet.

Tashmë, familja e Ramon Juarez do të ndiqet penalisht. Vajza e viktimës tha se i ati kishte vdekur nga ataku në zemër dhe jo nga koronavirusi: “Për spitalin gjithçka është Covid. Nëse babai im do të ishte infektuar, edhe ne të familjes do të ishim infektuar, por asnjëri nga ne nuk është pozitiv. Na thanë që nuk do ta merrnim trupin pasi kishte Covid. Donin që të më linin vetëm 5 minuta me të dhe pastaj ta digjnin si qen. Prandaj vendosëm që ta merrnim dhe ta varrosnim siç duhet”./A2CNN

(Kosova Sot Online)