Rrëfimi i ish-kryesuesit të Bordit të AKP-së: Mund të përfundoja si Dino Asanaj

  • E.K /
  • 15 October 2020 - 12:29
Rrëfimi i ish-kryesuesit të Bordit të AKP-së: Mund të përfundoja si Dino Asanaj

Ish-kryesuesi i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), Blerim Rexha ka raportuar sot para deputetëve anëtarë të Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë.

Rexha ka folur për emërimin e tij në krye të AKP-së si anëtar i PDK-së më 21 shkurt 2013, për procesin skandaloz të privatimizimit të tokave të Kosovës dhe për aktin e dorëheqjes së tij nga ky post më 16 maj të atij viti. Ai ka treguar se ka qenë e vështirë që ta pasojë Dino Aasanajn një vit pasi ai kishte vdekur në rrethana tepër misterioze, duke mos e përjashtuar rrezikun se mund të vritej.

“Kam qenë anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës. E them këtë me krenari dhe kënaqësi. Kam konsideru si një kontribut timin për komunitetin, për shoqërinë,për shtetin. Kam qenë anëtar i Këshillit Drejtues atëherë dhe me një propozim të Qeverisë që atë kohë udhëhiqej nga Hashim Thaçi dhe si propozim i Qeverisë kam shku në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Rexha.

Ai ka thënë se në shitjen e lirë të tokave të shtetit kishte votuar kundër dhe se e ka pasur vështirë që ta bindte familjen e miqtë se s’do të kishte fund të njëjtë si Dino Asanaj.

“Unë kam marrë detyrën pas ngjarjeve tragjike të vitit 2012. E kam fjalën për vdekjen e dyshimtë të Dino Aasanajt. Në një situatë të tillë ka qenë goxha vështirë ta bindni familjen, gruan, prindtë miqtë, shokët që nuk do të përfundoni në një mënyrë të ngjashme nëse i kundërshtoheni një rrjedhjeje të tillë”, ka thënë Rexha.

Ai ka treguar edhe për arsyen e dorëheqjes, ndërsa ka kërkuar falje për mospërmbushjen e misionit të parashikuar atë kohë me rezolutën e Kuvendit për kryeshefin e AKP-së.

“Nuk kam mundur me zhvillu detyrën. Kjo ka qenë arsyeja pse e kam liru detyrën. Për mos me shtu transparencë unë u kam kërku falje publike edhe deputetëve, kështu që gjithsesi kërkoj falje edhe tani për mospërmbushje komplet të misionit për rritje të transparencës edhe që fondin që në atë kohë t’i japë zhvillim ekonomik vendit”, ka deklaruar Rexha.

Si një prej arsyeve të dorëheqjes së tij, ai ka përmendur shitjen e një toke, 1 ari, 1 euro.

“50 hektarë janë shitur për 5 mijë euro. Kam votu kundër, kam marrë vota që me e ndalë këtë shitje. Ka pasë edhe kësi raste. Nuk kam pranuar me nënshkru me këso kushte. Kam thënë që nuk e nënshkruaj dhe jam larguar”, ka deklaruar Rexha.

Blerim Rexha ishte zgjedhur në krye të AKP-së më 21 shkurt të vitit 2013 me votat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Emërimi i tij në këtë agjenci ishte propozim direkt i Qeverisë së Kosovës, që në atë kohë udhëhiqej nga Hashim Thaçi.

Rexha kishte dhënë dorëheqje pas 84 ditëve, ndërsa tani është profesor në Universitetin e Prishtinës.

(Kosova Sot Online)