Vëllezërit Devolli kërcënojnë Telekomin, ia kërkojnë 23 milionë euro

  • A.P /
  • 18 October 2020 - 13:14
Vëllezërit Devolli kërcënojnë Telekomin, ia kërkojnë 23 milionë euro

Vëllezërit Devolli i kanë dhënë gjashtë muaj afat Telekomit të Kosovës për ta paguar borxhin prej afër 23 milionë eurosh ndaj kompanisë së tyre, “Z-Mobile”, duke kërcënuar se nëse kjo kërkesë nuk përmbushet sipas këtij afati, do të bllokohen xhirollogaritë e kësaj ndërmarrjeje.

Këtë e ka bërë me dije kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit, Lamih Balaj. Ai ka thënë se është mbajtur një takim mes Ministrisë së Ekonomisë, përfaqësuesve të Telekomit dhe atyre të Z-Mobile. Edhe pse s’ka qenë i pranishëm, Balaj thotë se Qeveria dhe Telekomi kanë ofruar 250 mijë euro në muaj si ofertë për marrëveshje, por ka shtuar se kjo s’është pranuar nga Z-Mobile.

 

“Qysh i kemi informatat, Qeveria i ka ofruar deri 250 mijë euro në muaj, ndërsa përfaqësuesit e Z-Mobile kanë qenë kategorikisht kundër, kanë kërcënuar me bllokimin e xhirollogarive të Telekomit dhe kanë kërkuar që borxhi të paguhet në gjashtë këste”, ka thënë Balaj për KP.

Balaj ka kërkuar nga Qeveria që të merren seriozisht kërkesat e Telekomit.

Borxhi prej mbi 23 milionë eurosh që Telekomi i Kosovës i ka kompanisë Z-Mobile, ka të bëjë me mospërmbushjen e kontratës nga ana e Telekomit për dhënien e 100 mijë numrave të telefonit dhe shërbimeve të internetit 3G dhe 4G.

Takimi e përmendur nga Balaj e kanë konfirmuar Ministria e Ekonomisë dhe përfaqësues të Tlekomit, me qëllim për të gjetur “një zgjidhje të mirë për këtë ndërmarrje”.

Në korrik Telekomit i ishin bllokuar llogaritë nga përmbaruesi privat për shkak të borxhit që kjo ndërmarrje ka si pasojë e rastit të humbur në Gjykatën e Arbitrazhit. Pak pas bllokimit, llogaritë ishin zhbllokuar, me Telekomin që kishte bërë të ditur se marrëveshja për pezullim ishte për afat të pacaktuar.

(Kosova Sot Online)