Zëdhënësi i MSH-së: Po përgatitemi për rritje të rasteve, kemi marrë mësim

  • E.K /
  • 19 October 2020 - 11:27
Zëdhënësi i MSH-së: Po përgatitemi për rritje të rasteve, kemi marrë mësim

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti ka thënë se parashikojnë rritje të rasteve me koronavirus, duke theksuar se po përgatiten për këtë.

Hoti tha se kanë marrë mësim nga e kaluara dhe se nuk parashikojnë ndonjë situatë të pamenaxhueshme.

“Nuk jemi skeptikë, por as optimistë për të ardhmen. Ne jemi të matur. Shifrat duhet të lexohen ashtu siç janë. Parashikojmë rritje të rasteve, por nuk mendojmë se do të jetë një situatë e pamenaxhueshme, duke qenë se kemi nxjerrë mësime nga e kaluara”, tha Hoti për A2.

Hoti është shprehur se edhe pse nuk ka pasur rritje të rasteve të reja, sërish situata po shikohet me kujdes dhe po bëhet përgatitje për periudhën e dimrit.

“Gjatë tetorit kemi pasur një situatë relativisht më të qetë sa i përket koronavirusit, por ne i lexojmë këto shifra me shumë kujdes dhe nuk na lejojnë të mendojmë se e kemi kaluar situatën. Ne përgatitemi për një situatë të mundshme në rritje të infeksionit gjatë vjeshtës dhe dimrit. E kemi kuptuar këtë si një mundësi për t’u përgatitur më mirë për situatat e ardhshme. Relativisht është një situatë e qetë, e menaxhueshme sa i përket shifrave. Ditët e fundit kemi një tendencë të lehtë në rritje. Pak a shumë, kjo është edhe një refleksion i rritjes së testimeve”, u shpreh Hoti.

(Kosova Sot Online)