Revolta dhe apeli i filozofit të famshëm francez: Shpërndani sa më shumë karikaturat e Muhamedit

  • E.K /
  • 21 October 2020 - 15:40
Revolta dhe apeli i filozofit të famshëm francez: Shpërndani sa më shumë karikaturat e Muhamedit

Vrasja e profesorit francez nga një fundamentalist islamik çeçen, i cili këtë akt e kreu në mënyrën më makabre, duke ia hequr kokën mësimdhënësit, vetëm pse kishte zgjedhur t’ua shpjegojë nxënësve të tij rastin e Charlie Hebdos, duke i printuar karikaturat e profetit islam Muhamedit që ishin publikuar në revistën satirike në vitin 2015, ka nxitur shumë reagime. Filozofi i njohur francez Bernard Henry Levy ka bërë një postim në Twitter duke bërë thirrje që këto vizatime të shpërndahen sa më shumë. Në shenjë revolte.

Në Kosovë kjo çështje po debatohet pasi ambasadori i Kosovës Qëndrim Gashi në shenjë solidariteti i ka bërë një retweet një shkrimi të gazetës franceze Le Figaro, e cila i botoi karikaturat e profetit Muhamed pas vrasjes së profesorit francez. Gashi, ka dy ditë që është grirë në rrjetet sociale nga komentuesit, ndërkohë që një prej tyre që e kërcënoi me vrasje ambasadorin kosovar u arrestua mbrëmë.

Me një qëndrim të ashpër kundër Qëndrim Gashit doli edhe Bashkësia Islame e Kosovës e cila akuzoi Gashin se i publikoi këto karikatura, pavarësisht se këtë e kishte bërë gazeta franceze.

“Në fillimin e muajit të datëlindjes së Pejgamberit tonë të dashur Muhamed, kur ne dhe mbarë bota islame ka filluar manifestimet për të përkujtuar, lexuar e studiuar biografinë e tij te ndritshme dhe mësimet e tij të shenjta, na vjen publikimi i karikaturave që ofendojnë Pejgamberin Muhamed a.s., nga ambasadori ynë në Francë z. Qëndrim Gashi” thuhet në deklaratën e BIK’ut.

Duke e akuzuar për nxitje të urrejtjes fetare BIK i kërkoi MPJ’së të distancohet nga veprimi i Gashit.

Derisa Franca është në shok nga vrasja e mësimdhënësit francez, Presidenti Emmanuel Macron tha se qytetarët francezë presin veprime kundër radikalizimit islamik duke premtuar se aksionet shtetit francez do të intensifikohen.

Bernard Henry – Levy  filozofi i njohur që për shumëkënd është edhe intelektuali më i madh francez i ditëve të sotme, ka reaguar në tëitter duke ua bërë një apel redaktorëve të mediave dhe qytetarëve që karikaturat që përshkruajnë Muhamedin të shpërndahen sa më shumë.

Levy i cili në Ballkan njihet edhe nga viti 1999, pasi kishte përkrahur bombardimet e caqeve të Ushtrisë Jugosllave për shkak të masakrave në Kosovë, ka bërë thirrje që vizatimet satirike të shpërndahen sa më shumë  “Këto karikatura duhet të shpërndahen. Më shumë se kurrë. Për të shfaqur zinë. Horrorin. Dhe revoltën” ka shkruar Henry-Levy.

Ambasadori Gashi ka shpjeguar sot në një reagim në facebook se ndjenja e solidaritetit me Francën e ka shtyrë të shpërndajë shkrimin.

“Duke u solidarizuar me Francën sot, ne e sfidojmë jo vetëm shtrirjen tek ne të islamit politik apo cilësdo ideologji politiko-shtetërore të bazuar kryekëput në religjion, por edhe e avancojmë humanizmin botëror, fal të cilit ne sot jemi të lirë në Kosovë” ka shkruar Gashi.

Charlie Hebdo është revistë e përjavshme satirike e njohur për karikaturat e saj dhe publikimet e saj për të djathtën dhe religjionin.

Kjo magazinë ka qenë pre e sulmeve terroriste në vitin 2011, 2015 dhe 2020. Pas publikimit të karikaturave për Muhamedin pesë vjet më parë terroristët kishin vrarë 12 anëtarë të redaksisë përfshirë edhe drejtuesit e saj.

(Kosova Sot Online