Del sondazhi i CNN-së: Kush e fitoi debatin, Joe Biden apo Donald Trump

  • S.A /
  • 23 October 2020 - 09:34
Del sondazhi i CNN-së: Kush e fitoi debatin, Joe Biden apo Donald Trump

Sipas një sondazhi të televizionit CNN, kandidati demokrat për president të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ishte më i mirë në debatin e së enjtes mbrëma sesa rivali i tij, Donald Trump.

Në përgjithësi, 53 për qind e votuesve që e shikuan debatin thanë se Bideni ishte më i mirë, ndërsa 39 për qind thanë se presidenti i tanishëm dhe kandidati republikan, Donald Trump, ishte debatues më i suksesshëm.

Një pjesë e madhe e shikuesve apo 73 për qind e pjesëmarrësve në sondazh thanë se kritikat e Bidenit ndaj Trumpit ishin shumë të drejta, ndërsa vetëm 26 për qind menduan se kritikat e ish-nënpresidentit ishin të padrejta. Për më tepër, 50 për qind thanë se sulmet e Trumpit ndaj Bidenit ishin të drejta, ndërsa 49 për qind thanë se ato ishin të padrejta.

Rezultati i anketës më të re është më i mirë për Trumpin në krahasim me sondazhin e kaluar të këtij televizioni, kur vetëm 28 për qind e pjesëmarrësve kishin thënë se Trumpi e ka fituar debatin e parë dhe 67 për qind kishin thënë se kritikat e tij ndaj Bidenit ishin të padrejta, shkruan CNN.

(Kosova Sot Online )