Haradinaj tërhiqet pak për çështjen e presidentit një ditë para se Thaçit e Veselit t’i konfirmohet ose jo aktakuza

  • E.K /
  • 23 October 2020 - 14:56
Haradinaj tërhiqet pak për çështjen e presidentit një ditë para se Thaçit e Veselit t’i konfirmohet ose jo aktakuza

Kreu  i AAK-së, Ramush Haradinaj ka folur para mediave pas takimit që ka pasur në Kuvend të Kosovës me krerët e koalicionit.

Haradinaj ka thënë se së bashku me partnerët kanë folur për disa tema.

“Ajo që e kemi preokupim është çështja ekonomike, sepse gjendja po përkeqësohet edhe më shumë”, ka thënë ai.

Pas këtij takimi, Haradinaj ka folur edhe për aktakuzat e Speciales që mund t’i konfirmojë Tribunali për presidentin dhe kreun e PDK-së.

“Kosova çdo herë ka qenë me drejtësinë, besojmë në drejtësinë edhe drejtësia e ka vërtetuar luftën e drejtë të UÇK-së në të gjitha situatat. S’po themi që do të ketë konfirmim. Kosova duhet të vazhdojë fuqishmisht ti ndihmojë qytetarët e Kosovës që munden me qenë të akuzum, jo kundër drejtësisë po për drejtësinë”, thotë ai.

“Kosova është me drejtësinë, e dimë të gjithë se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë”, ka shtuar kreu i AAK-së.

Haradinaj duket se është tërhequr pak për çështjen e presidentit. Ai thotë se këto situata nuk janë të lehta e do të gjejnë një përgjigje së bashku.

“Jemi në punë në këto situata që munden me qenë jo aq të lehta dhe besojmë që do ta gjejmë një përgjigje së bashku. Nuk kam përgjigje për këtë temë aktualisht, në të ardhmën do të bisedojmë si do të rrjedhin këto procese”, thotë ai.

(Kosova Sot Online)