Hasjanët e mbyllën një person në shtëpi dhe e rrahën me shufër, avokati thotë se e mbrojtën pronën

  • A.P /
  • 27 October 2020 - 19:40
Hasjanët e mbyllën një person në shtëpi dhe e rrahën me shufër, avokati thotë se e mbrojtën pronën

Një person ka pësuar lëndime të rënda trupore, e një tjetër është dërguar në paraburgim. Krejt kjo për shkak të një zënke që ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës në fshatin Kushnin të Hasit. Policia thotë se personi që po trajtohet në spital (K.Sh), ishte viktimë e këtij rasti, e avokati mbrojtës i të arrestuarit (F.F.) thotë se klienti i tij ishte viktimë, pasi po qëndronte në shtëpinë e tij kur F.Sh kishte hyrë për të vjedhur.

E zunë para dyerve të shtëpisë duke gjuajtur me gurë. E mbyllën në shtëpi, ku e lidhën me litar në një karrige dhe e rrahën me shufër hekuri, duke i shkaktuar kështu plagë të rënda trupore.

Viktima po qëndron i shtrirë në spitalin e Prizrenit, ku pritet t’i përsëritet incizimi i thellë i kokës.

Policia e Prizrenit ka deklaruar  se e tërë kjo ngjarje ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës në fshatin Kushnin të Hasit.

“Me datë 24.10.2020 rreth orës 23:30 nga emergjenca e Spitalit Rajonal në Prizren është marrë informata për një rast të një personi të lënduar. Rastit i është përgjigjur patrulla policore dhe bëhej fjalë për një rast të sulmit fizik në fshatin Kushnin të Hasit. Rastit i janë përgjigjur edhe policët hetues dhe njësiti i Forenzikës të cilët kanë bërë shikimin e vendit të ngjarjes”, kanë deklaruar nga zyra për informim e policisë së Prizrenit.

Policia ka bërë të ditur se pas incizimit të kokës, do të vendoset nëse viktima do të dërgohet në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë, apo do të lirohet në shtëpi.

“Sipas mjekut kujdestar, viktima vazhdon trajtimin e tij në emergjencë, ku do t’i përsëritet incizimi i thellë i kokës dhe pas kësaj do të merret vendim se a do të lirohet për në shtëpi apo do të dërgohet në QKUK në Prishtinë”, kanë thënë nga Policia.

Po ashtu, Policia ka bërë të ditur se lidhur me krejt këtë ngjarje, është arrestuar një person i dyshuar.

“Në konsultim me Prokurorin e Shtetit, lidhur me rastin një person i dyshuar është ndaluar në mbajtje në stacionin policor në Prizren”, thotë Policia.

Por, të arrestuarin e dyshuar për këtë rast dikush po e quan viktimë të hajnave.

Avokati mbrojtës i të dyshuarit, Esat Gutaj, ka thënë se klienti i tij ka qenë duke e mbrojtur pronën dhe familjen.

Madje, ai thotë F.Sh (i cili po trajtohet në spital), kishte hyrë në shtëpinë e  F.F. për të vjedhur.

“F. F. nga Kushnini i Hasit, më datën 24 rreth orës 22:30 e ka zënë një hajn, në shtëpinë e vet. E ka përdorë dhunën, natyrisht, por e ka përdorur për mbrojtje të familjes, mbrojtje të pronës. E kanë lidhur dhe e kanë thirrur policinë. Policia e ka arrestuar pronarin e shtëpisë pse ka ushtruar dhunë ndaj hajnit, në vend se ta marrin hajnin, Gjykata i ka caktuar një muaj paraburgim”, ka deklaruar Gutaj.

Ai thotë se nuk pajtohet me masën që Gjykata ia ka vendosur klientit të tij, pasi ka qenë duke e mbrojtur familjen e vet.

“Kanë dalë krejt familja, dy hajna kanë ikur, njërin e kanë zënë. Hajni është i fshatit të vet, është i lirë, ndërkaq i zoti i shtëpisë është në paraburgim. Le të zhvillohet procedura, por jo të dërgohet në paraburgim njeriu që e ka mbrojtur pronën e vet”, ka deklaruar Gutaj.

(Kosova Sot Online)