Veliu-Sveçlës: Jep llogari për hyrjen në dhomë të përgjimeve dhe hapjen e kasafortës, mos mashtro për targat

  • A.P /
  • 27 October 2020 - 20:45
Veliu-Sveçlës: Jep llogari për hyrjen në dhomë të përgjimeve dhe hapjen e kasafortës, mos mashtro për targat

Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, ka reaguar ndaj deklaratave të Xhelal Svecles duke e  akuzuar për mashtrim të opinionit publik, hyrje në dhomën e përgjimeve dhe mashtrim për tenderin me targa.

Svecla të hënën  kishte thënë se Veliu po bën dallavere me tenderët për targa të automjeteve duke cituar një lajm nëpër medie që tregonte se një kompani kishte fituar tenderin me trefishin e çmimit fillestar. Ai po ashtu ka akuzuar Veliun se po vonon shpalljen e tenderëve për letërnjoftime dhe certifikata për shkak se rritet mundësia për keqpërdorime në tenderë.

Veliu iu është kundërpërgjigjur këtyre akuzave në një status të gjatë në Facebook ku ndër të tjera e akuzon Sveclën për vonesat për targa dhe për manipulim të opinionit publik.

“Xhelal Sfeçla me shokë, në vend se të turpërohet që la qytetarët e Kosovës pa targa dhe pa dokumente të tjera personale, po bën përpjekje dëshpëruese, të shoqëruara me gënjeshtra, me qëllim të manipulimit të opinionit publik për këtë proces. Njeriu, i cili gjatë qëndrimit të tij në MPB, nuk kreu asnjë punë përveç që dha leje të lëvizjes për dostat e tij, në vend se të jap llogari për hyrjet në dhomat e përgjimeve dhe për kasafortën ku gjendeshin dokumente të klasifikuara që e la të hapur kur doli, gjen kohë dhe pa fije turpi del në një emision dhe hedh akuza për procedura e tenderë, të cilat nuk kanë asnjë lidhje me mua.”, shkruan ai.

“Për hir të informimit të drejtë të opinionit publik, ju informoj se procedura e prokurimit për “Furnizim emergjent me targa të automjeteve” nuk bëhet në baza mujore, ndërsa çmimi i tyre caktohet në bazë të targave për njësi. Furnizimet emergjente me targa janë me çmime më të lira, krahasuar me kontratën e rregullt të vitit 2016, pra është i pavërtetë pretendimi se procedurat e tjera kanë çmimin tri herë më të shtrenjtë. Ministria e Punëve të Brendshme, përmes procedurës së hapur ka iniciuar aktivitetin e prokurimit “Furnizimi me targa të automjeteve” në vitin 2018, vit në të cilin unë nuk isha ministër.”, shtoi Veliu.

“I njëjti aktivitet është në procedurë ankimore dhe në bazë të legjislacionit në fuqi, Autoriteti Kontraktues nuk mund të iniciojë dy aktivitete të prokurimit për të njëjtën çështje në të njëjtën kohë.” 


(Kosova Sot Online)