SFIDAT E KOHËS: PO PËRBALLEMI ME ÇMENDURINË E NJERËZVE TË PAPËRGJEGJSHËM!..

SFIDAT E KOHËS: PO PËRBALLEMI ME ÇMENDURINË E NJERËZVE TË PAPËRGJEGJSHËM!..
SFIDAT E KOHËS: PO PËRBALLEMI ME ÇMENDURINË E NJERËZVE TË PAPËRGJEGJSHËM!..

Ismail Muçiqi

  • 23 April 2026 - 13:29

Shkruan Ismail Muçiqi.

Askush nuk ka besuar dhe nuk ka menduar se jemi një shoqëri me plot defekte, me sindroma patologjike. Nuk jemi të vetëdijshëm se vendin po e çojmë në humnerë; jemi ngritur në këmbë, i madh e i vogël, kundër njëri-tjetrit, duke ngritur tensione dhe duke acaruar raportet ndërnjerëzore. E këtë po e bëjnë njerëzit që nuk kanë edukatë, kulturë dhe dinjitet. Përçarjet dhe ndasitë që po i ndodhin vendit janë ogurzeza për Kosovën. Sot nuk gjendet njeri normal që del para opinionit me ndonjë mesazh, këshill apo debat të qetë, të arsyeshëm e logjik, i cili do të paraqiste një udhërrëfim për të ecur përpara. Të gjithë janë ngritur në këmbë për qëllime të caktuara, jo për t’i përafruar idetë, mendimet apo qëndrimet, por urrejtja në shoqëri ka arritur shkallën më të lartë dhe paraqet rrezik shumë serioz për përplasje ndërmjet njerëzve. Arsyeja dhe normaliteti prej kohësh kanë humbur në institucionet e shtetit, duke filluar nga themeli i të ashtuquajturave parti politike të konsumuara dhe të degraduara. Sot këto rryma destruktive kanë depërtuar në institucionet e shtetit, duke pasqyruar nivelin e mjerimit në komunikim, mungesën e kulturës, si dhe degradimin e autoritetit të njeriut intelektual, që në fund po e zhvesh karakterin. Kjo çmenduri që po i ndodh vendit po troket në ndërgjegjen e shoqërisë dhe është sinjal i vërtetë se, nëse nuk ndryshohet gjendja, Kosovën e presin ditë të zeza.

Shteti nuk ndërtohet me njerëz që inatin, zilinë dhe sadizmin e vënë në plan të parë për t’u hakmarrë apo për t’i arritur qëllimet patologjike. Nuk ka dyshim se një numër figurash, duke filluar nga të ashtuquajturat parti politike, deputetë e figura të tjera në institucione, me sjelljet dhe veprimet e tyre, i kanë kaluar të gjitha kodet e etikës normale dhe se kanë probleme të shëndetit mendor, por nuk janë të vetëdijshëm për gjendjen e tyre. Një numër i caktuar i figurave politike – i liderëve partiak që moti u ka kaluar koha dhe sa më parëë të largohen nga politika do ti bënin mire vendit. Vetë fakti se nuk jemi në gjendje ta emërojmë një President të shtetit, duke bërë kalkulime, hile, shmangie e mashtrime të ndryshme, tregon gjendjen reale dhe nivelin e pjekurisë politike të institucioneve të këtij shteti. Askush nuk skuqet për deklaratat, për shpifjet, për gënjeshtrat, për manipulimet dhe për keqpërdorimet (hajnitë) që i ka bërë apo i bën edhe sot. Njeriu ndaj njeriut është bërë i padurueshëm, duke krijuar situata që mund të eskalojnë deri në konflikt qytetar apo qerim hesapesh. Individë të caktuar, që ende janë normalë, shtrojnë pyetjen: çfarë po ndodh me ne? Askush nuk ka menduar apo besuar se, pas 27 vitesh në liri, shteti i Kosovës do të sfidohej nga vetë Shqiptarët. Më thotë mendja se diagnoza e të gjitha të këqijave që e kanë kapluar vendin është rrjedhojë e grupeve politike, të cilat e morën pushtetin me force duke i treguar muskujt dhe që si kauzë apo ideal kishin vetëm interesin material e financiar për veten, familjen dhe farefisin. Kjo klasë politike, siç thotë populli, është mbushur me mëkate të rënda (haram), fenomen ky që paraqet rrezik të shpërthejë dhe të shkaktojë pasoja të paparashikueshme për shoqërinë Kosovare dhe shtetin e Kosovës. Sot, lufta politike për ta diskredituar njëri-tjetrin ka arritur deri në atë masë, sa vihet në plan të parë se kush është “spiun i Serbisë”, kush bashkëpunon apo punon me të, duke e akuzuar Shqiptari Shqiptarin deri në një shkallë të papranueshme. Të gjitha këto të këqija shkojnë në favor të Serbisë dhe armiqve të Kosovës, ndërsa askush nuk shqetësohet se si të parandalohet kjo. Andaj, Kosova gjendet në një udhëkryq; se si do të rrjedhin gjërat varet nga ndryshimi i qasjes dhe nga vetëdijesimi i shoqërisë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".