Zgjedhjet presidenciale, sa amerikanë kanë votuar deri më tani

  • S.A /
  • 29 October 2020 - 08:56
Zgjedhjet presidenciale, sa amerikanë kanë votuar deri më tani

Zgjedhjet presidenciale, sa amerikanë kanë votuar deri më tani

Më shumë se 75 milionë njerëz kanë votuar tashmë gjashtë ditë përpara ditës zyrtare të zgjedhjeve, më shumë se gjysma e numërimit të përgjithshëm të votave në vitin 2016, që ishte 138.8 milionë.

Rreth dy të tretat e votuesve kanë votuar me postë, ndërsa pjesa tjetër ka votuar personalisht në qendrat e votimit në të gjithë vendin.

Ekspertët e votimit kanë deklaruar se pjesëmarrja e votuesve për garën mes Presidentit republikan Donald Trump dhe sfiduesit të tij demokrat Joe Biden mund të jetë më e larta që nga viti 1908, kur 65% e votuesve të ligjshëm në vend morën pjesë në votime.

Trump, Biden dhe kandidatët e tyre përkatës për postin e nënpresidentit- nënpresidenti Mike Pence dhe senatorja e Kalifornisë Kamala Harris po vazhdojnë të mbajnë fjalimet e tyre përfundimtare para votuesve.

Fokusi në Arizona

Si presidenti Trump edhe senatorja Harris po bëjnë fushatë në Arizona, shteti jugperëndimor përgjatë kufirit meksikan që Trump e fitoi në vitin 2016 ndaj demokrates Hillary Clinton.

Por sondazhet në këtë shtet, ku asnjë kandidat demokrat presidencial nuk ka fituar që nga viti 1996, tani tregojnë se  Biden është përpara në garë me një diferencë të ngushtë.

Shteti ka 11 nga 270 votat elektorale që kandidatët Trump dhe Biden do të duhet të fitojnë për të marrë presidencën. Zgjedhjet presidenciale amerikane vendosen në një formë indirekte të demokracisë, përmes Kolegjit Zgjedhor me 538 anëtarë, dhe jo nga vota popullore.

Zakonisht, të gjitha votat e Kolegjit Zgjedhor të një shteti shkojnë për kandidatin që merr më shumë vota popullore në secilin prej 50 shteteve, me shtetet më të populluara që kanë më shumë ndikim.

Presidenti Trump këtë javë ka vazhduar të pohojë se vendi ka arritur “kthesën” në trajektoren për trajtimin e virusit, edhe pse numri i infeksioneve në SHBA është duke u rritur.

Pence po zhvillon tubime në dy shtetet kryesore të lëkundura, në Uiskonsin dhe më pas Miçigan, që Trump-i i fitoi në vitin 2016 por ku tani radhitet pas Biden në sondazhe.

Sondazhet kombëtare tregojnë  se Biden ka një epërsi prej 7 ose 8 për qind ndaj presidentit Trump, por me gjysmën e asaj diference në shtetet kryesore të fushëbetejës, që ka të ngjarë të përcaktojnë rezultatin në Kolegjin Zgjedhor.

(Kosova Sot Online )