Sulmi terrorist në Vjenë, përveç Fejzullahit policia austriake ka kërkuar nga Shkupi të dhëna edhe për dy persona

  • G.G /
  • 03 November 2020 - 15:52
Sulmi terrorist në Vjenë, përveç Fejzullahit policia austriake ka kërkuar nga Shkupi të dhëna edhe për dy persona

Policia Austriake është në kërkim edhe të dy personave të tjerë të cilët besohet se janë nga Maqedonia e Veriut e që dyshohet se janë të përfshirë në sulmin e mbrëmshëm të cilësuar si terrorist në Vjenë.

Bëhet fjalë për personat e dyshuar-atentator me inicialet U.A dhe A.G të cilët janë duke u kërkuar nga policia. Deri më tani një person është vrarë nga autoritet austriake si i përfshirë në këtë sulm terrorist. Bëhet fjalë për Kujtim Fejzullahin nga Maqedonia.

Sipas informatave, kërkesa për të dhënat e dy personave të tjerë me inicialet U.A dhe A.G kanë ardhur nga Ministria e Punëve të Brendshme të Austrisë e cila ka kërkuar informata të detajuara nga më shumë sektor të Policisë në Ballkan, por edhe nga ajo maqedonase.

Autoritet e Maqedonisë janë shprehur të gatshëm për bashkëpunim. Me çka është zhvilluar bisedë telefonike në mes të kryeministrit të Maqedonisë Zoran Zaev dhe atij austriak Sebastian Kurt ku është thënë se do të vazhdohet bashkëpunimi i mëtutjeshëm për zbardhjen e rasteve dhe parandalimin e terrorizmit.

Katër civilë janë vrarë dhe 22 janë plagosur gjatë sulmit të së hënës në Vjenë, të cilin, autoritetet austriake e cilësuan si “terrorist”.

I vrarë është edhe një sulmues, të cilin autoritetet e idenifikuan si Kujtim Fejzullahi, 20 vjeç, me shtetësi të Austrisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Ministri i Brendshëm austriak, Karl Nehammer tha se 14 persona janë arrestuar në lidhje me sulmin në Vjenë.

Ai shtoi se pas bastisjes së shtëpisë së sulmuesit, tashmë të vrarë, janë kryer edhe 18 bastisje.

(Kosova Sot Online)