Votat me postë në Pensilvani mund të përmbysin gjithçka në favor të Bidenit

  • G.G /
  • 04 November 2020 - 15:08
Votat me postë në Pensilvani mund të përmbysin gjithçka në favor të Bidenit

Presidenti i tanishëm amerikan, Donald Trump, është në epërsi ndaj rivalit Joe Biden prej rreth 620 mijë votave në Pensilvani, por në këtë shtet janë edhe 1.4 milionë vota që po presin për t’u numëruar.

Sipas të dhënave të publikuara nga Sekretarja e Shtetit, Joe Bide e ka fituar pjesën më të madhe të votave me postë që janë numëruar deri më tash. Nëse një trend i tillë vazhdon deri në përfundim të numërimit, ai mund të shënojë fitore në këtë shtet, shkruan The New York Times.

Projeksioni i fitores së mundshme të Bidenit në Pensilvani (New York Times)

Presidenti Trump ka një epërsi prej më pak se 700.000 votash në Pensilvani deri në mesditë sipas kohës evropiane dhe gjasat e Bidenit për të shënuar fitore në këtë shtet shumë të rëndësishëm varen nga përqindja e madhe e votave me postë që i nevojiten nga 1.4 milionë sa do të numërohen.

Sipas zyrës së Sekretares së Shtetit, Joe Biden në fazën fillestare të numërimit të votave me postë i ka marrë 78 për qind të tyre, ndërsa Trumpi vetëm 21 për qind. Ky rezultat përputhet me parashikimet e sondazheve para zgjedhjeve, të cilat kishin parashikuar epërsi tejet bindëse të ish-nënpresidentit amerikan.

Nëse Bideni fiton një pjesë të madhe të votave me postë sipas këtij trendi fillestar, ai mund t’i marrë rreth 800.000 vota, që do të ishin të mjaftueshme për ta kaluar rivalin Trump.

Sipas vlerësimit të bërë para zgjedhjeve, Bideni pritet të marrë rezultat më pozitiv në votat me postë, sepse zonat në të cilat ende nuk janë numëruar këto vota dallohen për përkrahje më të madhe për Demokratët në krahasim me përkrahjen në nivel shteti.

(Kosova Sot Online)