Tensionohet situata në Arizonë, përkrahës të armatosur të Trumpit tubohen para një qendre votimi

  • G.G /
  • 05 November 2020 - 09:00
Tensionohet situata në Arizonë, përkrahës të armatosur të Trumpit tubohen para një qendre votimi

Një grumbull i përkrahësve të Trumpit, disa prej të cilëve ishin të armatosur me armë të gjata, u mblodhën para një qendre të votimit në Arizona të mërkurën në mbrëmje pas thashethemeve të pabazuara se votat për presidentin e tanishëm nuk po numërohen qëllimisht.

Duke brohoritur “ndaleni vjedhjen” dhe “numërojeni votën time”, protestuesit që kryesisht ishin pa maska qëndruan përballë Departamentit të Zgjedhjeve në distriktin Maricopa në Phoenix, ku demokrati Joe Biden po mban një epërsi të ngushtë. Disa medie kanë raportuar se Arizonën tashmë e ka fituar Bideni, por kampi i Trumpit ka thënë se fituesi në këtë shtet ende nuk është vendosur.

Para qendrës së votimit u mblodhën rreth 200 persona. Ata u penguan të depërtonin më tutje nga një varg i policëve. Disa protestues u dëgjuan duke brohoritur “turp Fox-it”, duke iu referuar televizionit që e shpalli fitoren e Bidenit në Arizona, shkruan Reuters.

Njëri nga protestuesit, Chris Michael, tha se erdhi para kësaj qendre votimi për t’u siguruar që të gjitha votat po numërohen. Ai shtoi se dëshiron të sigurohet që procesi i numërimit është duke u kryer në mënyrë etike dhe ligjore.

Një fitore e Bidenit në Arizona do t’ia siguronte Partisë Demokratike 11 vota në Kolegjin Zgjedhor dhe do të ishte ndihmë e madhe për fitore në Shtëpinë e Bardhë. Në anën tjetër, fitorja e Demokratëve në këtë shtet do ta ngushtonte tepër mundësinë që Trumpi të marrë një mandat të dytë në krye të vendit.

Ndryshe, përderisa numërimi i votave po vazhdon në disa shtete kyçe, presidenti Trump i ka akuzuar pa fakte Demokratët se po përpiqen t’i vjedhin votat dhe ka paraqitur ankesa ligjore në disa shtete në lidhje me procesin e numërimit.

(Koosva Sot Online)