Mediat e huaja raportojnë për dorëheqjen e Thaçit

  • G.G /
  • 05 nëntor 2020 - 12:47
Mediat e huaja raportojnë për dorëheqjen e Thaçit

Lajmi se tani ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dhënë dorëheqje për t’u nisur për në Hagë, që të përballet me akuza për krime të rënda, ka marrë jehonë edhe në mediat ndërkombëtare.

“Presidenti i Kosovës Thaçi jep dorëheqjen pasi i konfirmohet aktakuza për krime lufte”, është titulli i agjencisë ndërkombëtare të lajmeve, Reuters.

Reuters shkruan se Thaçi konfirmoi dorëheqjen në një konferencë për media, pasi njoftoi se aktakuza ndaj tij është konfirmuar.

Edhe e përditshmja amerikane, The Washington Post ka shkruar për dorëheqjen e Thaçit.

“Presidenti i Kosovës jep dorëheqjen për t’u përballur me akuza për krime lufte”, është titulli i gazetës amerikane.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, një udhëheqës gueril gjatë luftës së Kosovës për pavarësi nga Serbia në vitet 1990, dha dorëheqjen të enjten në mënyrë që të përballej me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në një gjykatë speciale të bazuar në Hagë, ka shkruar Washington Post. 

(Kosova Sot Online)