“Nuk do të më shihni më”, gjithçka që Trump ka thënë se do të bëjë nëse humb zgjedhjet

  • G.G /
  • 07 November 2020 - 19:44
“Nuk do të më shihni më”, gjithçka që Trump ka thënë se do të bëjë nëse humb zgjedhjet

Gjatë fushatës se tij kundrejt kundërshtarit demokrat, presidenti Donald Trump kishte menduar edhe për mundësinë e humbjes së zgjedhjeve.

Shumica prej deklaratave të tij publike kishin të bënin me komentet për Joe Biden.

Gjatë tetorit në kuadër të një vizite në Wisconsin, Trump tha se Biden nuk ishte kandidat i denjë për të dhe humbja nga ai do të ishte poshtëruese.

“Nëse humbas, do të kem humbur ndaj kandidatit më të keq, kandidatit më të keq në historinë e zgjedhjeve presidenciale”, kishte thënë Trump.

Por ai humbi, pasi Biden u zgjodh presidenti i 46’të i SHBA’së.

Por komentet e Trumpit hidhnin pak dritë mbi pyetjen se si do të vazhdonte jeta e Trump nëse do të dilte i humbur.

Gjatë zgjedhjeve të vitit 2016 dhe 2020, Trump dhe rrethi i tij i ngushtë kanë dhënë sugjerime se çfarë do të mund të bënte ai pas humbjes, që nga përballja me media e deri te mundësia që të mos dukej më në publik.

Në muajin qershor Trump tha për Fox News: “Nëse nuk fitoj, nuk fitoj” dhe se ai do “të vazhdojë të bëjë gjëra të tjera”.

Atëkohë kjo u pa si pranim i rezultatit nga ana e tij.

Por që nga atëherë shumëçka ka ndryshuar. Jo rrallë, Trump ka lënë të kuptohet se nuk do të pranonte humbjen.

“Të shohim, nuk do të them ‘po’ as nuk do të them ‘jo’ dhe nuk e thash as herën e kaluar”, citohet të ketë thënë Trump në muajin korrik kur u pyet nëse do e pranonte humbjen.

“Duhet të presim dhe të shohim çfarë do të ndodh”, u përgjigj Trump në muajin shtator në të njëjtën pyetje.

Mbesa e Trump, Mary Trump, e cila mbështeti Joe Biden, gjatë shtatorit tha se xhaxhai i saj “mund të bënte atë që nuk imagjinohet” vetëm për të qëndruar në Shtëpinë e Bardhë.

Një përpjekje e tillë do të ishte e pashembullt në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Më 19 shtator në një tubim në Karolinën e Veriut, Trump iu rikthye të njëjtës temë.

“Nëse humbas kundrejt tij (Biden), nuk e di se çfarë do të bëjë”, tha ai. “Nuk do të ju flasë kurrë më dhe nuk do të më shihni më”.

Nënkuptimi ishte se humbja ndaj Biden do të ishte aq poshtëruese sa ai do të duhej të zhdukej dhe turma e mori si shaka.

Diçka të ngjashme Trump kishte thënë edhe në prillin e vitit 2016.

‘Nuk jam i sigurt se do të më shihni më këtu. Nuk po them se do të humbas, por nëse ndodh, nuk mendoj se do të më shihni sërish. Do të shkoj në Turnberry të luaj golf ose diçka të tillë’, kishte thënë Trump.

Trump kishte shënuar fitore tronditëse ndaj Hillary Clinton.

Trump humbi zgjedhjet kundrejt Biden por ka edhe 77 ditë si president në detyrë.

Demokrati Joe Biden është zgjedhur presidenti i 46’të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Biden në gjithë procesin e numërimit të votave ka qenë duke prirë, derisa vendimtare ka qenë përmbysja që i ka bërë në Trumpit në shtetin e Pensilvanisë.

(Kosova Sot Online)