Krasniqi shfaqet me disponim të mirë, buzëqesh në paraqitjen e parë para Gjykatës Speciale

  • G.G /
  • 09 November 2020 - 11:32
Krasniqi shfaqet me disponim të mirë, buzëqesh në paraqitjen e parë para Gjykatës Speciale

Ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi është parë i buzëqeshur në seancën e parë gjyqësore.

Ai është prezantuar me buzëqeshje, ndërsa gjykatësi i ka kërkuar që të përgjigjet në pyetjet formale të seancës së parë dëgjimore.

Krasniqi ka konfirmuar se e ka marrë aktakuzën kundër tij në gjuhën shqipe, ndërsa sekretarja e gjykatës, sipas rregullores, i ka lexuar akuzat kundër Krasniqit që e përfshijnë atë në krime kundër njerëzimit, përndjekje, ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë, etj.

Gjykatësi Nicolas Guillou i ka prezantuar të drejtat e Krasniqit, duke shpjeguar arsyen e kësaj seance gjyqësore.

Në paraqitjen e parë, Krasniqi ka të drejtë ta zgjedhë një avokat mbrojtës ose kjo t’i caktohet nga Specialja. Në këtë paraqitje, atij i lexohen akuzat dhe informohet se brenda 30 ditësh duhet ta deklarojë fajësinë apo pafajësinë në lidhje me to. Ai mund të deklarohet rreth fajësisë apo pafajësisë qysh në paraqitjen e parë.

Të mërkurën, ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi u arrestua dhe u dërgua për në paraburgimin e Dhomave të Specializuara. Për në të njëjtin destinacion, me një avion ushtarak, të nesërmen u nisën edhe ish-bashkëpunëtorët e tij në luftë, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryetari i PDK-së, Kadri Veseli dhe shefi i Grupit Parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimi.

Arrestimet erdhën pasi një gjyqtar i procedurës paraprake i Gjykatës Speciale, ka konfirmuar aktakuzat ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.

Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Aktakuza i bën përgjegjës Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin për një sërë krimesh që pretendohet se janë kryer në disa qendra ndalimi gjatë viteve 1998-1999. Prokuroria e Specializuar i akuzon krerët e UÇK-së se kanë qenë ose duhej të ishin në dijeni të këtyre krimeve. 

(Kosova Sot Online)