Sot priten masa të reja kufizuese në Kosovë, komunat do të ndahen në tri grupe

  • G.G /
  • 09 November 2020 - 15:49
Sot priten masa të reja kufizuese në Kosovë, komunat do të ndahen në tri grupe

Në Kosovë situata epidemiologjike po tregon sinjale të përkeqësimit. Nisur nga paraqitjet e rasteve të fundit si dhe numrit të lartë të vdekjeve nga Covid-19 në Kosovë, Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj zhvilloi të hënën një takim me kryetarët e komunave, me të cilët diskutoi për hapat që duhen ndërmarrë për frenimin e përhapjes së koronavirusit. Zemaj deklaroi se kurba e rasteve të fundit kërkon kujdes të shtuar dhe aktiv.

E pas këtij takimi të Zemajt me kryetarët e komunave është vendosur që masat kundër luftës nga Covid të ndahen në tri grupe varësisht numrit të personave të infektuar në qytete.

Masat e reja do të ndahen për qytetet në bazë të tri zonave: e gjelbër, e verdha dhe e kuqja.

Por jo të gjithë janë të kënaqur nga këto ndarje.

Kreu i Prishtinës, Shpend Ahmeti në një postim në rrjetin social Facebook ka shkruar se niveli qendror ka vendosur Prishtinën në zonën e kuqe duke rekomanduar mbyllje njëjavore.

“Si arsyetim ka përdorur numrin aktiv të të infektuarve. Duke marrë parasysh që Prishtina pakrahasimisht ka numrin më të madh të testeve, dhe po ashtu numrin më të madh të banorëve ne kemi kërkuar që kjo matje të bëhet me numrin e rasteve pozitive si përqindje e testeve. Por, kjo nuk është marrë parasysh”, ka shkruar Ahemti.

Por kreu i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri në një deklaratë për express ka dhënë detaje rreth takimit që dot kishte virtualisht me Zemajn.

Bahtiri tha për express se ndër tjerash ka kërkuar nga ministri Zemaj që mos ta ndal punën e gastronomisë në Mitrovicë.

Tutje ai sqaroi se sa i përket zonave, Mitrovica gjendet në zonën e verdhë.

“Ne e kemi kaluar për një infektim numrin 80. Nisur nga kjo jemi në zonën e verdhe”, thotë Bahtiri.

Tutje shpjegon dhe për vendimet që beson se do të merren sot.

“Po kanë me u vendos masa të reja nga sot, i kemi ndarë në tri grupe, është e gjelbra, e verdha dhe e kuqja. Cilat vende kanë mbi 80 për qind të rasteve brenda javës hyjnë në të verdhën, nën 80 raste hyjnë në të gjelbrën, mbi 120 raste hyjnë në të kuqen dhe vendosën në karantinë”, tha ai.

E edhe kreu i komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri shpjegoi se njëjtë kanë kërkuar nga Qeveria, respektivisht nga Ministri Zemaj në këtë rast që të kenë kujdes të shtuar me sektorin e gastronomisë.

“Unë e vlerësoj si takim pozitiv. Mirëpo kokrruam nga ministri Zemaj që të ketë kujdes për gastronominë”.

Kërkesë të njëjtë kanë edhe nga komuna e Suharekës. Nga atje. Kryetari i këtij komune, Bali Muharremaj tha për Express se dëmët në rast të mbylljes për gastronominë mund të jenë të mëdha.

“Janë dhënë të gjitha rekomandimet. Pritet që të dërgohet në Qeveri dhe pastaj të na dërgohet neve komunave”, thotë Muharremaj.

Në fundjavën që shkoi, në Kosovë ka qenë e ndaluar veprimtaria e të gjitha subjekteve afariste dhe bizneseve, me qëllim frenimin e përhapjes së koronavirusit.

Në këtë periudhë janë mbyllur edhe qendrat tregtare dhe rekreative dhe subjektet që ofrojnë shërbime të gastronomisë në të gjithë territorin e Kosovës.

Në fundjavë, po ashtu, qytetarëve të shtatë komunave të Kosovës – Prishtinë, Fushë Kosovë, Gjilan, Obiliq, Gjakovë, Podujevë dhe Shtime – u janë ndaluar hyrjet dhe daljet, përveç në disa raste të domosdoshme.

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës dhe Oda Ekonomike e Kosovës kundërshtuan çdo vendim për mbyllje të mëtutjeshme të bizneseve, nëse ato nuk subvencionohen dhe mbështeten me pako strategjike për mbulimin e dëmeve.

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës, në një mbledhje të jashtëzakonshme, kërkoi nga institucionet që të mos marrin vendime që i dëmtojnë bizneset.

“Në rast se vendimet e ardhshme për mbyllje nuk do të subvencionohen apo mbështeten me plane konkrete strategjike për mbulimin e dëmeve dhe pako për subvencionim të linjave të pagave të punëtorëve, subvencionim të shpenzimeve të qirasë, ndihmesë në pagesën e interesave të kredive, ndarjen e granteve që stimulojnë qarkullimin në gastronomi, zotohemi se do të kundershtojmë çdo vendim për mbyllje të mëtutjeshme ose shkurtim orari, në çdo formë të mundshme, përfshirë edhe ato radikale: mosmbylljen e lokaleve apo edhe protesta”, thuhet në një komunikatë të gastronomëve të Kosovës.

Kryetari i Odës Ekonomike e Kosovës, Berat Rukiqi, në një postim në rrjetin social Facebook, tha se kjo javë është vendimtare për “mosdërgimin e ekonomisë në kolaps”.

“Për rimëkëmbje as nuk diskutohet. Tani, para rimëkëmbjes duhet të sigurohet mbijetesë”, shkroi Rukiqi.

Raportit i Rregullt Ekonomik i Bankës Botërore, i publikuar më 22 tetor, ka theksuar se pandemia e koronavirusit i kërcënon vendet e punës në Kosovë.

Sipas këtij raporti, ekonomia e Kosovës pritet të tkurret me 8.8 për qind në vitin 2020.

Bizneset në Kosovë, për të mbajtur punëtorët në punë dhe për t’i rikuperuar humbjet nga pandemia, janë ndihmuar nga Fondi për Rimëkëmbje Ekonomike i Qeverisë së Kosovës.

Për këto biznese, nga ky Fond që kap vlerën e mbi 350 milionë eurove, janë ndarë së voni 60 milionë euro, por ato janë vlerësuar si të pamjaftueshme nga vetë bizneset.

(Kosova Sot Online)