Azerët festojnë, marrëveshjen me Armeninë e cilësojnë si fitore

  • G.G /
  • 10 November 2020 - 11:19
Azerët festojnë, marrëveshjen me Armeninë e cilësojnë si fitore

Banorët e Azerbajxhanit kanë festuar në orët e para të së martës për marrëveshjen e arritur me Armeninë, e cila pritet t’i japë fund konfliktit të armatosur në Nagorno-Karabak.

Azerët dolën për të festuar në rrugë pasi presidenti i tyre, Ilham Aliyev, tha se marrëveshja për ndërprerjen e luftimeve është humbje e Armenisë, shkruan Anadolu.

Gjatë një fjalimi të transmetuar në televizion, Aliyev tha se rajoni Agdam do t’i kthehet nën kontroll Azerbajxhanit nga 20 nëntori, rajoni Kalbajar nga 15 nëntori, ndërsa rajoni Lachin nga 1 dhjetori.

Kështu, kryeqyteti azer, Baku, u bë arenë e festimeve në orët e vona të natës. Njerëzit që dolën rrugëve mbanin në duar flamuj kombëtarë dhe flamuj të Turqisë, pavarësisht se marrëveshja e paqes u ndërmjetësua nga Rusia.

Disa azerë vallëzuan në rrugë, disa e këndonin himnin kombëtar, ndërsa të tjerët festonin me vetura. Festime pati edhe në qytetin e dytë më të madh, Ganja, i cili u bombardua nga armenët disa javë më parë.

Elnur Habiboglu, banor lokal, tha: “Po shpresojmë që po kthehemi në tokat tona pas 28 vjetëve. Azerbajxhani dhe Turqia janë kombi ynë me dy shtete”.

Sidoqoftë, kjo marrëveshje nuk është pritur mirë në Armeni, ku menjëherë shpërthyen protestat. Protestuesit janë futur në ndërtesën e kuvendit dhe në zyra qeveritare dhe kanë thënë se kryeministri armen, Nikol Pashinyan, i ka tradhtuar ata.

(Kosova Sot Online)