Në aktakuzë, Haga nuk i akuzon Thaçin e të tjerët për vrasje të katolikëve

  • E.K /
  • 11 November 2020 - 16:26
 Në aktakuzë, Haga nuk i akuzon Thaçin e të tjerët për vrasje të katolikëve

Për dallim nga njoftimi i Gjykatës Speciale për konfirmimin e aktakuzës për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, ku përmendet cilësimi “katolik”, në versionin e redaktuar të aktakuzës nuk gjendet një cilësim i tillë.

Në njoftimin e Speciales, thuhet se “ndër viktimat përfshihen persona që dyshoheshin si kundërshtarë të UÇK-së dhe më vonë të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, konkretisht: (i) serbë, romë dhe ashkalinj; (ii) katolikë; (iii) civilë për të cilët pretendohej se bashkëpunonin me autoritetet serbe ose që pretendohej se kontaktonin me serbë”.

Ndërkohë, në versionin e redaktuar të aktakuzës, katolikët nuk përmenden fare si kategori e veçantë.

Për këtë formulim të Speciales, ka pasur reagime të mëdha. Një prej atyre që ka reaguar është edhe shkrimtari dhe publicisti Ndue Ukaj, i cili i takon besimit katolik.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Ukaj ka thënë se formulimi i tillë është i marrë, puro politik dhe përbën një mega skandal.

“E vërteta është se shqiptarët – katolikë, myslimanë, protestanë dhe të pafe – së bashku kanë zhvilluar luftë për liri, pavarësi dhe demokraci, në atdheun e tyre autokton, ku janë shtypur e vrarë nga regjimi barbar i Serbisë. Një tendencë e tillë qartësisht ka prapavijë të rrezikshme politike”, ka shkruar Ukaj.

(Kosova Sot Online)