Rexhep Selimi në Hagë si deputet dhe shef i Grupit Parlamentar të LVV-së

  • E.K /
  • 11 November 2020 - 16:10
 Rexhep Selimi në Hagë si deputet dhe shef i Grupit Parlamentar të LVV-së

Ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Rexhep Selimi, në Gjykatën Speciale në Hagë po e përfaqëson edhe grupin më të madh parlamentar në Kosovë, atë të Lëvizjes Vetëvendosje, si shef ende me kompetenca të plota i deputetëve të këtij subjekti politik.

Selimi nuk dha dorëheqje nga pozitat publike pasi u konfirmua aktakuza kundër tij dhe ish-krerëve tjerë të UÇK-së. Anëtarja e Kryesisë së LVV-së, Albulena Haxhiu, të dielën në një intervistë, ka konfirmuar se Selimi vazhdon të jetë shef i grupit parlamentar të kësaj partie.

“Shef i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje është Rexhep Selimi”, ka thënë Haxhiu.

Shefi i Selimit në parti, ish-kryeministri Albin Kurti, para katër muajsh e kishte kritikuar ashpër ish-presidentin Hashim Thaçi, që si shef i shtetit ishte paraqitur për t’u intervistuar nga hetuesit e Speciales.

“Karrigen e presidentit të Republikës e mori me vete para Prokurorisë Speciale në Hagë. Në republikë, sovran është shteti e burim i sovranitetit populli; në monarki, sovran është mbreti. Presidenti nuk është sovrani. Ai nuk mund ta marrë me vete karrigen presidenciale e ta çojë në prokurori a gjykatë. Kosova nuk ua ka pasur borxh këtë”, kishte thënë Kurti përmes një video-mesazhi.

Siç duket, Kurti këtë këshillë nuk ia ka dhënë Rexhep Selimit, i cili vazhdon të mbajë pozitë publike edhe sot kur u paraqit për herë të parë para Gjykatës Speciale. Ai u deklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës, ndërsa avokati i tij kërkoi lirimin e Selimit nga paraburgimi duke garantuar se ai nuk do të arratisej dhe nuk do të ndikonte në dëshmitarë dhe nuk do t’i rrezikonte provat kundër tij.

Të enjten e javës që shkoi, me një avion ushtarak, shefi i GP të LVV-së, Rexhep Selimi, dhe ish-bashkëpunëtorët e tij në luftë, ish-presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentari Kadri Veseli, u nisën për në Hagë, pas konfirmimit të aktakuzës kundër tyre.

Një ditë më herët, ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi u arrestua dhe u dërgua gjithashtu për në paraburgimin e Gjykatës Speciale.

Krerët e UÇK-së akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Aktakuza i bën përgjegjës Selimin, Thaçin, Veselin e Krasniqin për një sërë krimesh që pretendohet se janë kryer në disa qendra ndalimi gjatë viteve 1998-1999. Prokuroria e Specializuar i akuzon katër ish-krerët e UÇK-së se kanë qenë ose duhej të ishin në dijeni të këtyre krimeve.

(Kosova Sot Online)