Kryeministri armen e injoron ultimatumin për dorëheqje pas marrëveshjes me Azerbajxhanin

  • G.G /
  • 12 November 2020 - 09:17
Kryeministri armen e injoron ultimatumin për dorëheqje pas marrëveshjes me Azerbajxhanin

Kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinyan, e ka injoruar ultimatumin e vendosur nga protestuesit që i bënë thirrje për dorëheqje shkaku i marrëveshjes për ndërprerjen e luftimeve me Azerbajxhanin në Nagorno-Karabak.

Mijëra protestues në Sheshin “Liria” në kryeqytetin armen të mërkurën u dëgjuan duke brohoritur “Nikoli është tradhtar” dhe “Nikol, largohu”, duke e kundërshtuar pranimin e kësaj marrëveshjeje nga kryeministri i tyre. Protestuesit e injoruan Ligjin e Luftës, me të cilin ndalohen tubimet masive.

Ata i vendosën ultimatum kryeministrit Pashinyan që të japë dorëheqje deri në mesnatë, por ai e injoroi kërkesën e protestuesve.

Sipas raportimeve në mediet armene, forcat e sigurisë i arrestuan mbi 100 protestues, të cilët u liruan më vonë.

Sipas marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Rusia, Azerbajxhani do t’i mbajë nën kontroll territoret që i ka fituar gjatë luftimeve që zgjatën rreth gjashtë javë, ndërsa qindra trupa paqeruajtëse ruse tashmë janë dërguar në rajonin e kontestuar.

Ndërkohë presidenti turk, Rexhep Erdogan, tha të mërkurën se ka nënshkruar marrëveshje me Rusinë për të marrë pjesë në forcat e përbashkëta që do ta vëzhgojnë zbatimin e marrëveshjes, shkruan BBC.

(Kosova Sot Online)