Deputeti i PDK’së: NATO, OKB e BE të reagojnë ndaj kërcënimeve të pasardhësit të Millosheviqit

  • E.K /
  • 12 November 2020 - 18:39
 Deputeti i PDK’së: NATO, OKB e BE të reagojnë ndaj kërcënimeve të pasardhësit të Millosheviqit

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës dhe PDK-së, Memli Krasniqi, ka reaguar ashpër ndaj kërcënimeve të presidentit serb Aleksandër Vuçiq për destabilizim të Ballkanit, pas arrestimeve të krerëve të UÇK-së.

Krasniqi i ka bërë thirrje SHBA-së, NATO-s, BE-së dhe OKB-së që të reagojnë ndaj kërcënimeve të pasardhësit të kasapit Millosheviq.

“Ky kërcenim duhet marrë seriozisht, sepse Aleksandri sot nuk është më thjesht shërbyes i birrave në një regjim fashist, por president i vendit që po e rikthen atë doktrinë luftënxitëse”, tha Krasniqi.

Deklarata e plotë e Memli Krasniqit:

Në vitet 1998-1999, regjimi serb i Millosheviqit ushtroi gjenocid mbi popullin e Kosovës. Sot, kur me dëshmitë e rreme e të fabrikuara nga strukturat e atij regjimi, drejtuesit e luftës sonë për çlirim e pavarësi ndodhen në Hagë, Vuçiq po na kërcënon me luftë.

Kjo është dëshmia më e qartë se mentaliteti fashist i Millosheviqit është restauruar plotësisht në doktrinën e Aleksandër Vuçiqit. Përgjigjen për një mentalitet të tillë Serbia e ka marrë nga UÇK dhe NATO më 1999.

Por, mosndëshkimi i krimit dhe kriminelëve në Serbi, të cilët nxitën luftë e masakra në katër shtete, siç duket i ka trimëruar ata – aq sa të kërkojnë luftë dhe masakra të reja. Bashkësia Ndërkombëtare, me theks tek OKB-ja, Bashkimi Evropian, NATO-ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duhet të reagojë urgjentisht ndaj kësaj gjuhe të kërcënimit. Ky kërcenim duhet marrë seriozisht, sepse Aleksandri sot nuk është më thjesht shërbyes i birrave në një regjim fashist, por president i vendit që po e rikthen atë doktrinë luftënxitëse.

Në Evropën e bashkuar, për të cilën jemi angazhuar e kemi besuar, nuk mund të ketë vend për një shtet që aspiron luftë ndaj fqinjëve të vet.

(Kosova Sot Online)