VV-ja kërkon interpelancë për Blerim Kuçin për hidrocentralet

  • E.K /
  • 12 November 2020 - 18:15
 VV-ja kërkon interpelancë për Blerim Kuçin për hidrocentralet

Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka kërkuar interpelancë për Blerim Kuçin lidhur me dhënien e licencave afatgjate (40 vjet) për prodhim të energjisë elektrike të ndërmarrjes KELKOS ENERGY SH.P.K për HC Deçani dhe HC Belaja, ka bërë të ditur Vetëvendosje përmes një postimi në Facebook.

“Operimi i hidrocentraleve në Grykën e Deçanit përmes kompanisë “Kelkos Energy sh.p.k.” ka shkaktuar dëme të mëdha në ambientin e rajonit ku operojnë sikurse edhe në shëndetin e qytetarëve. Edhe pse më 14 tetor 2020, këtyre tre hidrocentraleve ju kishte ndaluar operimi, për shkak se nuk kishin leje mjedisore dhe leje ujore, pas lejes nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, ZRRE në mbledhjen e sotme, mori vendim për dhënien e licencave për 40 vjet për dy hidrocentralet në bjeshkët e Deçanit”, thuhet në njoftim.

Vetëvendosje shton se megjithë deklarimet e Blerim Kuçit se Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit nuk i ka dhënë leje mjedisore dhe leje ujore kësaj kompanie, vendimi i sotëm i ZRRE-së jo vetëm se nxori në pah mashtrimin e tij të radhës, por e bënë këtë proces edhe tërësisht jotransparent dhe të paligjshëm.“

Me vendimin për dhënien e lejes për operim për 40 vjet, është goditur rëndë mjedisi në zonën e Grykës së Deçanit dhe burimet e ujit, por edhe buxhetin e shtetit. Përkundër iniciativave, kërkesave e peticioneve për të ndërprerë degradimin e mjedisit, ZRRE mori këtë vendim të dëmshëm e të paligjshëm. Për pasojat e këtij vendimi, të gjithë ata që kanë mundësuar dhe miratuar atë, duhet të përgjigjen ligjërisht. Ministri Blerim Kuçi nuk mund t’i ikë përgjegjësisë së drejtpërdrejt ligjore. Ky vendim duhet të shfuqizohet pa humbur kohë, kurse përgjegjësit duhet të japin llogari”, thuhet në njoftim.

(Kosova Sot Online)