Qetësohet gjendja në Libi, palët pajtohen që vitin e ardhshëm të mbahen zgjedhjet

  • G.G /
  • 14 nëntor 2020 - 11:57
Qetësohet gjendja në Libi, palët pajtohen që vitin e ardhshëm të mbahen zgjedhjet

Palët e konfliktit në Libi të premten u pajtuan që në këtë shtet pushteti të caktohet përmes zgjedhjeve, të cilat janë planifikuar për 24 dhjetor të vitit të ardhshëm, bëri të ditur shefja e misionit të OKB-së në këtë shtet.

Vendimi për mbajtjen e zgjedhjeve erdhi gjatë një forumi politik të përkrahur nga Kombet e Bashkuara, i cili filloi të hënën në Tunizi mes përfaqësuesve të qeverisë libiane dhe gjeneralit Khalifa Haftar.

Pjesëmarrësit në këtë forum u pajtuan që të formohet një Këshill Presidencial i ri dhe një organ ekzekutiv për menaxhimin e periudhës së tranzicionit dhe mbajtjes së zgjedhjeve, tha shefja e misionit të Kombeve të Bashkuara për Libinë, Stephanie Williams.

Kjo zyrtare shtoi se gjatë negociatave mes palëve është diskutuar edhe për detyrat dhe autoritetin e qeverisë dhe Këshillit Presidencial, i cili do ta menaxhojë procesin e tranzicionit, shkruan Anadolu.

Williams tha se Kombet e Bashkuara do të ofrojnë përkrahje teknike për zgjedhjet që do të organizohen nga Bordi i Pavarur i Zgjedhjevev i Libisë.

Marrëveshja për mbajtje të zgjedhjeve erdhi pas nënshkrimit të armëpushimit të përhershëm mes delegacioneve ushtarake të të dyja palëve me 23 tetor.

Libia është rrënuar nga lufta civile që nga viti 2011, kur u rrëzua nga pushteti dhe u vra diktatori Muammar Gaddafi.

(Kosova Sot Online)