Mbrojtja e Numan Baliq kërkon të hidhet aktakuza për sulm seksual

  • A.P /
  • 18 November 2020 - 16:08
Mbrojtja e Numan Baliq kërkon të hidhet aktakuza për sulm seksual

Gjykata Themelore në Pejë ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes së të akuzuarit për sulm seksual, Numan Baliq, për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Se është refuzuar kërkesa e mbrojtjes së avokates mbrojtëse të Rashiq, për Express e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykayës Themelore në Pejë, Tringa Zhuti.

“Gjykata Themelore në Pejë ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes për kundërshtimin e provave dhe hedhje të aktakuzës”, ka thënë Zhuti.

Zhuti ka deklaruar se lidhur me këtë, mbrojtja e të akuzuarit ka bërë ankesë në Gjykatën e Apelit.

“Mbrojtësja e të pandehurit ka parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit në Prishtinë”, ka deklaruar Zhuti.

Ndërkohë, ish-ministri i Shëndetësisë dhe mjeku Numan Baliq, akuzohet se derisa ishte në vendin e tij të punës në spitalin e Pejës, ka ngacmuar seksualisht një grua e cila po qëndronte aty me foshnjën e saj.

Ngjarja kishte ndodhur mbrëmjen e 13 gushtit të këtij viti.

Në aktakuzën e siguruar janë bërë të ditura të gjitha detajet se si kishte ndodhur rasti.

“Më kapi dorën e djathtë në krah dhe më futi brenda. E mbylli derën me çelës dhe e ndali dritën. Tentoi të më puthë me zor e të më prekë me duar edhe në shpinë, por nuk arriti sepse nuk e lejoja duke e shtyrë. Kur i kërkova ta hapë derën, sepse do ta thërras sigurimin, më tha “vetëm po dua me ta matë pulsin”, është dëshmia e viktimës për natën kur u sulmua nga mjeku Numan Baliq në Spitalin e Pejës.

Në aktakuzë thuhet se mbrëmjen e 12 gushtit të këtij viti, rreth orës 22:00, Baliq në cilësinë e profesionistit shëndetësor, me dashje ka keqpërdorur gjendjen shëndetësore të viktimës, e ka prekur me qëllim seksual, pa pëlqimin e saj.

“Me datën 12 gusht të vitit 2020, rreth orës 22:00, në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë, pikërisht në zyrën e tij, me dashje e në cilësi të profesionistit shëndetësor duke keqpërdorur gjendjen shëndetësore të viktimës, e cyt të njëjtën që ta prek me qëllim seksual pa pëlqimin e saj…I pandehuri e kap për dore të djathtë dhe e fut brenda, e mbyll derën me çelës dhe e ndalë rrymën si dhe e mbështet të dëmtuarën te muri ku i kërkon asaj që ta prekë dhe tenton ta puthë në qafë duke i thënë “a ki nevojë për diçka”, por që viktima largohet, ndërsa i pandehuri e kap përsëri dhe e shtrëngon në dorë, pastaj e dëmtuara arrin ta shtyjë nga vetja dhe hapë derën dhe largohet me ç’rast kthehet në dhomën numër 5 dhe nga dritarja kërkon ndihmë te roja i sigurimit, më pas raporton rastin në Polici”, thuhet në aktakuzë.

(Kosova Sot Online)