Konfirmohet nga Universiteti i Oksfordit se vaksina anti-COVID po rezulton e suksesshme

  • E.K /
  • 19 November 2020 - 09:22
Konfirmohet nga Universiteti i Oksfordit se vaksina anti-COVID po rezulton e suksesshme

Universiteti i Oksfordit ka konfirmuar se vaksina kundër koronavirusit që është duke e zhvilluar me kompaninë “AstraZeneca” ka prodhuar reagim të fuqishëm imunitar në personat më të moshuar në një studim të hershëm. Rezultatet thelbësore të fazës përfundimtare të testimit pritet të publikohen në javët e ardhshme.

Rezultatet e publikuara të enjten në revistën mjekësore “The Lancet” hodhën më shumë dritë mbi të dhënat e publikuara muajve të fundit, ku tregohej se kjo vaksinë eksperimentale ka krijuar një reagim imunitar te personat e moshuar, të cilët janë më të rrezikuarit që të sëmurën rëndë nga COVID-19. Shkencëtarët ende po i presin me interesim të madh rezultatet e fazës së fundit të testimit për të parë nëse vaksina e Oksfordit dhe e “AstraZeneca”-s do të mund ta arrijë standardin e lartë që kanë vendosur kompanitë rivale, “Pfizer” dhe “Moderna”.

Këto gjetje do të mundësojnë një varg lajmesh pozitive në frontin për zbulimin e vaksinës. Të mërkurën, kompania “Pfizer”, që po bashkëpunon me kompaninë gjermane, “BioNTech”, tha se sipas analizës përfundimtare të të dhënave të testimit, vaksina e saj është 95 për qind efektive, duke ia hapur rrugën kompanisë që të aplikojë te rregullatorët për autorizim të përdorimit.

Rezultatet e fazës së dytë të studimit të Oksfordit tregojnë se vaksina tolerohet më mirë në organizmin e personave të moshuar dhe prodhon reagim të ngjashëm imunitar te të rriturit e moshuar dhe të ata që janë më të rinj, shkruan Bloomberg.

Në këtë hulumtim ishin të përfshirë 560 persona të rritur, përfshirë 240 që ishin mbi moshën 70-vjeçare. Ky rezultat vjen pas rezultateve të publikuara muajin e kaluar dhe të dhënave të marra në korrik, të cilat treguan se vaksina krijon reagim të fuqishëm imunitar te personat nga mosha 18 deri 55-vjeçare.

Studimi tregoi se vaksina shkakton pak efekte anësore dhe nxit reagim në të ashtuquajturat qeliza T, të cilat e shënjestrojnë virusin brenda 14 ditëve të dozës së parë të vaksinës dhe brenda 28 ditëve krijohet një reagim mbrojtës me antitrupa nga doza e dytë. Niveli neutralizues i virusit është arritur 14 ditë pas vaksinimit të dytë në 208 nga 209 persona që e morën vaksinën eksperimentale.

(Kosova Sot Online)