Në këtë vend përhapen një numër i madh i karkalecave

  • E.K /
  • 20 November 2020 - 10:26
Në këtë vend përhapen një numër i madh i karkalecave

Një numër i madh i karkalecave është përhapur në Viktoria të Australisë pas reshjeve të pranverës, të cilat kanë krijuar kushte të përsosura për shtimin e tyre.

Zyrtarët në rajonin e njohur për bujqësi të zhvilluar thanë se banorët duhet të kenë kujdes nga karkalecat pasi grumbuj të mëdhenj të tyre u panë në pjesët perëndimore dhe veriperëndimore të Viktorias.

Karkalecat nuk paraqesin problem në vete, por kur përhapen shumë, ata mund t’i pengojnë vozitësit në rrugë dhe t’i dëmtojnë të mbjellat, shkruan Daily Mail.

Zakonisht, karkalecat janë më të përhapur në rajonin Queensland, por reshjet e shiut janë shtuar muajve të fundit dhe me to është zhvilluar vegjetacioni, ku karkalecat ushqehen dhe shtohen.

“Është me rëndësi të kuptohet ku janë grupet e tyre dhe në cilën fazën janë, në mënyrë që qeveria, industria dhe komuniteti të mund të punojnë së bashku për t’i trajtuar ata”, tha Kyla Finlay, komisionere për këtë çështje.

“Karkalecat ushqehen me bimë të gjelbra të freskëta dhe kur janë të pranishëm në numër të madh, shkaktojnë dëme në të mbjella, kopshte, parqe dhe fusha sportive”, shtoi ajo.

Më herët gjatë këtij viti, problem me përhapjen e madhe të karkalecave kanë pasur edhe disa shtete të Afrikës Lindore dhe disa tjera në Azi.

(Kosova Sot Online)