Lirohet adoleshenti i akuzuar për dy vrasje në protesta, pagoi 2 milionë dollarë dorëzani

  • S.A /
  • 21 November 2020 - 09:19
Lirohet adoleshenti i akuzuar për dy vrasje në protesta, pagoi 2 milionë dollarë dorëzani

Një adoleshent amerikan, i akuzuar për vrasjen e dy personave dhe plagosjen e një tjetri gjatë protestave kundër dhunës policore, është liruar me kusht.

Kyle Rittenhouse, 17 vjeç, pagoi dorëzaninë prej dy milionë dollarësh që ishte caktuar nga një gjykatës në qytetin Kenosha, bënë të ditur të premten zyrtarët amerikanë.

Ky person dyshohet se i ka qëlluar me armë tre persona gjatë protestave që u mbajtën në gusht të këtij viti. Protestat ishin nxitur nga plagosja e Jacob Blake nga policia më 23 gusht, shkruan BBC.

Rittenhouse duhet të paraqitet përsëri në gjykatë më 3 dhjetor për një seancë preliminare. Zyrtari i drejtësisë që e caktoi shumën e dorëzanisë, Loren Keating, tha se kjo shifër duhet të jetë e lartë për shkak se ka rrezik që personi i akuzuar të largohet nga vendi.

Adoleshenti 17 vjeç akuzohet për vrasjen e Joseph Rosenbaum, 36 vjeç, dhe Anthony Huber, 26 vjeç, si dhe për vrasje në tentativë të Gaige Grosskreutz, gjithashtu 26 vjeç.

Avokati i të akuzuarit, Mark Richards, tha se kjo është dëshmi e jashtëzakonshme se Rittenhouse ka vepruar në vetëmbrojtje.

Sidoqoftë, babai i njërës prej viktimave tha se shifra e dorëzanisë duhet të jetë edhe më e lartë, duke thënë se Rittenhouse mendon që është mbi ligjin.

Rasti kundër këtij të riu ka marrë vëmendje të madhe të medieve dhe në një fond të hapur për t’i ndihmuar adoleshentit për shpenzimet në betejën ligjore është mbledhur një shumë e konsiderueshme e të hollave.

(Kosova Sot Online )