Albin Kurti e Shpejtim Bulliqi e hapin fushatën në Podujevë, japin premtimet e para për llapjanët

  • E.K /
  • 23 November 2020 - 10:02
Albin Kurti e Shpejtim Bulliqi e hapin fushatën në Podujevë, japin premtimet e para për llapjanët

Kandidati për kryetar të Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje kanë mbajtur sot konferencë për media, me ç’rast kanë hapur zyrtarisht fushatën për kryetar të kësaj komune.

Bulliqi ka thënë se zgjedhjet në Llap do të fitohen nga ata që e duan kombin e atdheun. Ai ka thënë se fitorja e LVV-së do të jetë hap i madh i ndryshimit.

Bulliqi ka thënë se gjatë këtij viti qytetarët do të shohin se si do të qeverisë Vetëvendosja.

“E di që partitë janë bërë bashkë, por nuk janë më shumë se qytetarët e Podujevës. Njerëzit kanë nevojë për subvencione, e që deri tash janë shpërndarë me të njohshëm, studentët kanë nevojë për bursa, shkollat në Podujevë kanë vetëm mure dhe tavolina, nuk kanë laboratorë as për lëndët shkencore e as edukimin fizik. Ky është mjerim”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se askujt nuk i është bërë vonë për gjendjen e komunës. Sipas Bulliqit, edhe rrugët nëpër fshatra janë bërë me të njohshëm.

Ai ka thënë se për një vit nuk mund të bëjnë mrekulli, porse do të ketë ndryshime të mëdha.

“Do të punësohen njerëzit sipas kritereve të përcaktuara me ligj”.

Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka thënë se Bulliqi me integriteti profesional nuk ka lejuar që ofertat ta lëkundin nga pozicioni i tij në rastin e demarkimit të kufirit me Malin e Zi.

Ai ka thënë se Vetëvendosje angazhohet për një administratë profesionale e të përgjegjshme. Sipas tij, duhet të respektohen rregullat e ligjet.

“As në administratën publike, as në arsim komunal e shëndetësi nuk do të ketë punësime me librezë partie e mbiemër farefisi. Subvencionet e grantet duhet të ndahen në mënyrë të drejtë e jo të diskriminohen për shkak të afërsisë partiake. Këtu në Podujevë ka pesë vjet që pritet shiriti i spitalit, por spitali s’është gati askund”, ka thënë ai.

Kurti ka thënë se do të angazhohen që të mos ketë prerje të shiritave pa spital.

Ai ka thënë se komuna ka mungesë të planifikimit urban, duke shtuar se do të angazhohen për politikat ambientale.

(Kosova Sot Online)