Letra e ish-kryetarit amerikan nipit të vet

  • E.K /
  • 24 November 2020 - 14:18
Letra e ish-kryetarit amerikan nipit të vet

Si duhet lexuar libri fetar? Sepse nëse zoti ekziston përnjëmend, ai do të çmojë më shumë mendjen e shëndoshë, sesa frikën e verbër.

Kryetari i tretë i ShBA-ve, Thomas Jefferson, i ka shkruar nipit Peter Carr një letër me rekomandime të ndarë në pesë paragrafë. Në të parin ai i shkruan për gjuhën italiane, në të dytin për gjuhën spanjolle, në të tretin për filozofinë dhe moralin, në të katërtin për religjionin dhe në të pestin për udhëtimin.

Në vijim përkthimi nga italishtja i udhëzimit të katërt:

I dashur Peter,

4. Religjioni. Tani je mjaft i pjekur për ta shqyrtuar këtë temë. Para së gjithash lirohu nga të gjitha paragjykimet në favor të së veçantës dhe origjinalitetit të mendimit. Lejoji vetes luksin e paragjykimit për çdo temë tjetër, pos për fe. Religjioni është një gjë shumë e rëndësishme dhe pasojat e gabimit, mund të jenë shumë serioze. Në anën tjetër, ti duhet të lirohesh nga çdo lloj frike si dhe nga paragjykimet e cekëta, të cilave mendjet e dobëta  u përkulen me servilizëm. Vepro në atë mënyrë që mendja e shëndoshë të ketë qartësi të plotë dhe hidhe para gjykatës së saj çdo fakt, çdo mendim. Pyet me guxim edhe për ekzistencën e perëndisë: sepse nëse zoti ekziston përnjëmend, ai do të çmojë më shumë mendjen e shëndoshë, sesa frikën e verbër.

Natyrisht së pari do të marrësh parasysh religjionin e vendit tënd. Atëherë lexo biblën, sikur të lexoje Titus Livin ose Tacitin. Faktet gjenden brenda rrjedhës së zakonshme të natyrës, prandaj do t’i besosh autoritetit të shkrimtarit, siç bën për shkrimtarë si Livi dhe Taciti. Dëshmia e shkrimtarit është në favor të tij dhe nëse ai flet për fakte, që nuk janë kundër ligjeve të natyrës, atëherë është një përparësi. Mirëpo ato faktet të rrëfyer në bibël, që bien ndesh me ligjet e natyrës, duhet të shqyrtohen më me kujdes dhe nga këndvështrime të ndryshme dhe duhet të kesh parasysh frymëzimin e supozuar hyjnor të shkrimtarit.

Shqyrto se në cilat fakte bazohet mëtimi i tij dhe vlerëso nëse provat e atij rasti, janë aq të forta, saqë pavërtetësia e tyre, do të ishte më e pamundur, sesa një ndryshimi i ligjeve të natyrës. Për shembull, në librin e Joshuas lexojmë se Dielli ishte ndalur për disa orë: e tani, sikur të kishim lexuar diçka si kjo te Livi ose Taciti, do ta kishim klasifikuar në grupin e „dusheve me gjak, statujat që flasin, bishat“, e të tjera. Mirëpo duket se shkrimtari, që ka shkruar këto gjëra, qenka frymëzuar nga perëndia, prandaj shqyrto çiltërisht, cilat janë provat, që mbështesin hipotezën, se ai qenka frymëzuar. Je ti ai që duhet të vlerësojë këtë pretendim, sepse miliona njerëz, tashmë e besojnë.

Sidoqoftë, ti merr vesh mjaftë nga astronomia, për të kuptuar sesa është në kundërshtim me ligjet e natyrës që një trup yllor si Toka, që rrotullohet rreth boshtin të vet, të mund të jetë ndalur pa shkaktuar kjo ndalje e befasishme një mbytje të përgjithshme të kafshëve, shkatërrim të pemëve, ndërtesave dhe pas një periudhe të caktuar kohore, i njëjti trup të ketë rifilluar lëvizjen pa shkaktuar një katastrofë të dytë të përgjithshme. Kjo ndërprerje e lëvizjes së tokës, apo prova që e pohon atë, a bën pjesë më shumë në ligjin e mundësive (probabilitetit)?

Pastaj ndodh që të lexosh dhiatën e re; një libër që flet për historinë e një personazhi të quajtur Jezus. Mbaj në mend mirë mendimet e kundërta: ka nga ata që besojnë, se ai ishte i krijuar nga zoti dhe se e kishte lindur një virgjëreshë, se ai kishte qenë i aftë për të pezulluar dhe përmbysur ligjet e natyrës, sipas dëshirës, dhe në fund, si trup, ngjitet (fluturon) në qiell; por ka edhe nga ata që besojnë se ai ishte një djalë i paligjshëm nga një zemër bujare dhe një mendje e pasionuar, i cili kishte bërë atë që bëri pa pasur pretendime hyjnore, pastaj në fund,  e besoi edhe ai vetë dhe prandaj, sipas ligjeve romake, u dënua me vdekje për kryengritje.

Të gjitha këto çështje fetare për të cilat po të tregoj ty, janë trajtuar në librat që përmenda, libra që do të të ndihmojnë në hetimin tua, por me kusht që të mbash mendjen vigjilente dhe të mos kesh frikë nga pasojat. Nëse në fund beson se nuk ekziston asnjëfarëlloj zoti, do të ndihesh i inkurajuar nga virtyti, ose nga kënaqësia që të jep ky hulumtim i yt dhe nga dashuria, për të afërmit që të do të të dhurojë ajo.

Nëse në vend të kësaj gjen një motiv për të besuar në ekzistencën e një perëndie dhe nëse je i vetëdijshëm, se je duke vepruar pikërisht nën sytë e tij dhe se ai të pranon, do të ndihesh edhe më i inkurajuar: nëse ekziston një jetë pas vdekjes, shpresa në një lumturi të ardhshme, do të rrisë dëshirën e zjarrtë për ta fituar atë, dhe nëse Jezusi ishte edhe zot, atëherë ti do të nxitesh nga dashuria dhe ndihma e tij.

Si përfundim, po ta përsëris, duhet të braktisësh të gjitha paragjykimet nga njëra anë dhe nga tjetra, dhe as nuk duhet të besosh, as të refuzosh asgjë, vetëm sepse dikush tjetër e ka besuar, ose e ka refuzuar atë. Mendja jote e shëndoshë (arsyeja) është udhëzuesi i vetëm, të cilën ta ka falur qielli dhe ti nuk je përgjegjës për korrektësinë e tij, por vetëm për ndershmërinë në marrjen e vendimit. Duke folur për dhiatën e re, harrova të them se do të duhej t’i lexosh të gjitha historitë e Krishtit, madje edhe ato të cilat disa ungjillistë i kanë shpallur apokrife (pseudo-ungjilliste). Sepse edhe ai, që i ka shkruar ato tregime, mu edhe si shkrimtarët tjerë, pohon se është frymëzuar nga zoti, dhe për këtë arsye, duhet të gjykosh se a është kjo e vërtetë vetëm sipas arsyes tënde, dhe jo sipas arsyes kishtare.

Paris 10 gusht 1787

Nga italishtja Lis Bukuroca

Ky  ishte një fragment nga letra e gjatë, që Thomas Jefferson (1743-1826), njëri nga etërit më me ndikim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i shkroi nipit të tij Peter Carr. Thomas Jefferson ishte presidenti i tretë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Busti i tij gjendet në malin Rushmore mes atyre tö George Washington-it, Abraham Lincoln-it dhe Theodore Roosevelt-it.

Ai ishte i mahnitur nga mendimet iluministe dhe ishte një përkrahës i vendosur i shtetit laik, liberal dhe mbështeste barazinë ligjore të të gjithë njerëzve.

(Kosova Sot Online)