Publikohen detaje për sulmin terrorist që tronditi Zvicrën: Akti makabër u krye nga një 28-vjeçare, simpatizante e ISIS’it

  • 25 nëntor 2020 - 08:26
Publikohen detaje për sulmin terrorist që tronditi Zvicrën: Akti makabër u krye nga një 28-vjeçare, simpatizante e ISIS’it

Gruaja 28 vjeçare me shtetësi zvicerane që ka bërë sulmin në Lugano, ishte e njohur për organet e rendit si simpatizante e organizatës terroriste të Shtetit islamik (ISIS).

Policia ka prova se gruaja kishte shprehur simpati për milicinë terroriste IS, ka thënë Cathy Maret nga fedpol (Policia federale) për televizionin e Zvicrës Italiane RSI në konferencën e sotme për media. Ajo ishte e mbikëqyrur nga policia që nga viti 2017.

Në koferencë, përmes videos ka marrë pjesë edhe shefja e Fedpol-it Nicoletta della Valle.

Mediat ticineze po ashtu kanë raportuar se gruaja që ka kryer sulmin kur po mbahej nga qytetarët kishte thirrur “Unë jam ISIS”.

“Ne kemi nisur kontrollet dhe, bashkë me policinë e kantonit të Ticinos po përpiqemi të kuptojmë rrethanat e sulmit, përmes të cilave ndoshta edhe do të konfirmojmë motivin” ka thënë tutje Cathy Maret nga fedpol, përcjell albinfo.ch.

Në veçanti, prokuroria dhe policia janë duke kërkuar informacione për autoren e sulmit.

“Policia tani po punon për të vlerësuar xhirimet e kamerave të dyqaneve të afërme për të nxjerrë përfundime të mëtejshme”.

Siç është shkruar tashmë, sipas policisë, një grua 28-vjeçare zvicerane ka sulmuar dy gra në qendrën tregtare Manor që ndodhet në Piazza Dante në Lugano.

Njërën nga gratë e ka lënduar me duar dhe tjetrën, duke e goditur me thikë. Kryerësja e dyshuar e krimit është mbajtur me forcë nga klientët e pranishëm dhe më vonë është arrestuar nga policia.

Policia nuk përjashton motivet terroriste dhe po punon së bashku me Zyrën Federale të Policisë. Njëra nga të sulmuarat ka pësuar dëmtime serioze, por jo kërcënuese për jetën. Tjetra ka pësuar lëndime të lehta.

Nëse vërtetohet sfondi terrorist i këtij sulmi, atëherë ky është rasti i parë që në Kantonin e Ticinos është bërë një sulm me prapavijë të tillë.

(Kosova Sot Online)