Para Gjykatës tre persona që mashtruan kosovarët duke iu marrë mijë franga për fluturimet që nuk ekzistonin

  • S.A /
  • 01 dhjetor 2020 - 13:07
Para Gjykatës tre persona që mashtruan kosovarët duke iu marrë mijë franga për fluturimet që nuk ekzistonin

Që nga e hëna, tre të dyshuar po përgjigjen për mashtrim komercial, falsifikim dokumentesh dhe pastrim parash, para gjykatës penale në Basel-Stadt. Thuhet se kanë shitur bileta për fluturimet për në Kosovë të cilat nuk kanë ekzistuar kurrë.

“Duhet ta pyesni atë atë,” është përgjigja e rregullt e të akuzuarit F.S. në pyetjet e kreut të trupit gjykues, Roland Strauss, shkruan 20minuten.ch.

Ai, A.G. dhe një tjetër i akuzuar po përballen me akuzën për mashtrim komercial, falsifikim të shumëfishtë të dokumenteve para gjykatës penale në Basel-Stadt që nga e hëna. A.G. po ashtu përgjigjet edhe për pastrim parash.

Ata të tre akuzohen se në vitin 2015 kanë shitur bileta fiktive të fluturimit në Kosovë përmes agjencisë së udhëtimit Alba Reisen GmbH në Bazel. Sipas aktakuzës, të akuzuarit kanë ofruar dhe shitur fluturime përmes kompanisë në fjalë dhe një kompanie partnere, “megjithëse ata nuk kishin as premtime me shkrim dhe as gojore” nga kompania ajrore që operonte për vendet përkatëse. Ishin mashtruar mbi 50 klientë.

Në këtë biznes ishin përfshirë edhe kompani tjera dhe një drejtor menaxhues me banim në Gjermani. Paratë janë paguar rregullisht “cash” dhe kanë dalë jashtë vendit. Drejtori menaxhues gjerman ishte gjithashtu i ftuar si dëshmitar, por ai nuk është paraqitur në seancë. Të pandehurit të tretë iu dha një kompensim.

Me veprimet e tyre, të pandehurit kanë mashtruar klientët e tyre me një shumë prej gjithsej mbi 150.000 frangash, thuhet në aktakuzë. Siç ka shpjeguar prokurori publik, fluturimet e reklamuara me SMS kishin ndodhur në të vërtetë deri në prill të vitit 2015. Në muajin pasues, kontrata me kompaninë charter kishte skaduar. Sipas prokurorit publik Andrea Brodbeck, të akuzuarit e dinin këtë dhe megjithatë ata shisnin ende bileta avioni. Dhe madje, bileta false.

Refuzuan të dëshmojnë
Sipas prokurorisë, të pandehurit kanë lëshuar gjithsej 463 bileta fiktive. “Vetëm në aeroport në orën e planifikuar të nisjes palët e dëmtuara kanë kuptuar se nuk mund të udhëtonin me avion sepse fluturimet përkatëse nuk ekzistonin”. Prokuroria publike nuk mund ta kuptojë më se ku kanë shkuar paratë e mbledhura të biletave.

A.G., i cili ka punuar në kompani që nga themelimi i saj, që nga fillimi ka refuzuar të deklarohet. Në një deklaratë që lexoi gjyqtari Strauss, i akuzuari deklaron se procedimi penal dhe arrestimi kishin qenë një tronditje e madhe për të dhe familjen e tij. “Unë përfundimisht nuk isha drejtori menaxhues” citohet të ketë thënë A.G. “Unë isha vetëm llogaritar dhe kam realizuar disa urdhra të vogla pagese.”

Në këtë pikë ka kundërshtuar i pandehuri F.S., duke thënë se A.G. ka bërë vetë çdo pagesë dhe ka kontrolluar të gjithë biznesin e përditshëm. F.S. , rreth faktit se ai vetë ishte shënuar në regjistrin tregtar si drejtor menaxhues ka thënë se ai e ka mbajtur këtë pozicion vetëm për shkak të vendbanimit të tij në Zvicër. “Në fakt, unë isha një shitës i thjeshtë”.

I akuzuari nuk dëshironte të dinte për situatën kontraktuale të ndërmarrjes së tij. “Gjithçka ka vazhduar të funksiononte gjatë rezervimit” ka thënë 44-vjeçari, shtetas i Maqedonisë, transmeton albinfo.ch. Se kush i ka futur fluturimet fiktive në bazën e të dhënave, gjykata, sipas tij, duhet të pyesë të bashkëpandehurin, A.G.

Vendimi gjyqësor nga kolegji prej tre anëtarëve pritet të shpallet të enjten.

(Kosova Sot Online )