Pfizer dhe BioNTech sot paraqesin kërkesë për regjistrimin e vaksinës anti-COVID në Serbi

  • A.P /
  • 02 December 2020 - 15:58
Pfizer dhe BioNTech sot paraqesin kërkesë për regjistrimin e vaksinës anti-COVID në Serbi

Sot, kompanitë “Pfizer” dhe “BioNTech” kanë dorëzuar në Agjencinë e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore dokumentacionin e nevojshëm për regjistrimin e vaksinës kundër COVID-19 në Serbi.

Siç shkruan mediumi publik serb, për këtë u dakorduan dje në një takim përfaqësuesit e ndërmarrjeve me kryeministren serbe dhe ministrin e Shëndetësisë.

Vaksina e kompanisë amerikane “Pfizer” dhe asaj gjermane “BioNTech” u tregua 95% efektive pas fazës së tretë të testimit. Ajo merret në dy doza.

Kompania “BioNTech” po punon për gjetjen e një formule që do të mundësonte ruajtjen e saj në temperaturën e dhomës, sepse, sipas të dhënave aktuale, ajo duhet të ruhet në -75 gradë Celsius, që është problem për transportimin e saj.

Mbretëria e Bashkuar miratoi përdorimin e vaksinës së Pfizer-BioNTech sot, duke u bërë vendi i parë në botë që e bën këtë.


(Kosova Sot Online)