Vazhdon përplasja e deputetit të LVV-së me Drejtorin e Spitalit të Gjakovës: Lëre Facebook-un dhe puno!

  • E.K /
  • 03 dhjetor 2020 - 12:03
Vazhdon përplasja e deputetit të LVV-së me Drejtorin e Spitalit të Gjakovës: Lëre Facebook-un dhe puno!

Po vazhdon përplasja virtuale mes deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Agon Batusha dhe drejtorit të Spitalit të Gjakovës, Hilmi Shala, pasi ky i fundit e porositi Batushën të mos përhap panik te qytetarët për mungesë të oksigjenit në spital.

Hilmi Shala ka thënë  se është e turpshme se si deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agon Batusha, po ngre panik te qytetarët e Gjakovës e në veçanti te pacientët e hospitalizuar.

Pas reagimit të drejtorit Shala, deputeti Batusha e ka sugjeruar atë ta “lë Facebook-un dhe të punojë”.

“Pse harxhon kohë me polemika të kota në vend se të angazhohesh në plotësimin e nevojave të pacientëve të brengosur”, shkruan Batusha.

Reagimi i tij i plotë:

I nderuar u.d. i Drejtor të Spitalit Regjional të Gjakovës,

Vetëm sa për të ju bërë të qartë, unë Agon Batusha deputet i Kuvendit të Republikës do të vazhdoj të denoncoj publikisht, ligjërisht dhe politikisht çdo vështirësi, parregullsi dhe shqetësim të raportuar nga qytetarët të këtij vendi. Kjo është puna ime. Kurse puna juaj është të menaxhoni institucionin në mënyrë sa më të mirë të mundshme duke ju shmangur dramave që kanë synim mbulimin e dështimeve menaxheriale.

Asnjë institucion në Kosovë nuk është i vetëmjaftueshëm, pse po mundohesh të paraqitësh Spitalin e Gjakovës si të vetëmjaftueshëm, kur edhe ju e dini që nuk është?

Pse po të shqetësojnë raportimet e qytetarëve që brengosen për shëndetin e tyre?

Pse harxhon kohë me polemika të kota në vend se të angazhohesh në plotësimin e nevojave të pacientëve të brengosur?

Nëse gjendja qenka kaq e mirë, pse transferohen pacientët në spitalet tjera rajonale?

Unë jam këtu që të ndihmoj për çfardo vështirësi që kanë institucionet publike e në veçanti ato shëndetësore në këtë kohë pandemie, e jo të brengosem për imazhin menaxherial të kujdo qoftë.

Andaj, lëre facebook-un dhe puno! Angazhimi im do të vazhdoj edhe më tutje të jetë në shërbim të qytetarëve, dhe vetëm të qytetarëve.

Ndryshe, mbrëmë në media është raportuar se në Spitalin e Gjakovës ka mungesë të oksigjenit për pacientët që janë duke u trajtuar me COVID-19.

Për këtë çështje ka folur ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, në TV Dukagjini, derisa është pyetur nëse është i vërtetë lajmi dhe thirrja që kanë marrë nga një mjek i këtij spitali se kanë oksigjen vetëm edhe për gjashtë orë.

Zemaj ka thënë se furnizimet janë të rregullta, e se lajmet për mungesë oksigjeni janë të pavërteta.

“Po mungesa ka pasë në vazhdimësi, ta quaj, po furnizimet janë të rregullta, me këto kapacitete që i ka nuk ka ndonjë shqetësim, nuk e di pse po e bën këtë pyetje.

Për mungesën e oksigjenit në spitalin e Gjakovës ka shkruar mbrëmë deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agon Batusha.

“Që disa ditë jemi duke reaguar dhe duke kërkuar oksigjen për Spitalin Rajonal të Gjakovës dhe asgjë. Jetët e njerëzve po rrezikohen nga moskokëçarja juaj, mjekëve dhe infermierëve po ua pamundësoni punën. Jeni përgjegjës si institucion dhe si zyrtar për këto punë. REAGONI! OKSIGJEN sillni… urgjent madje”, ka thënë ai.

Batusha ka reaguar përsëri pas këtij lajmi, duke thënë se 48 bombola të oksigjenit janë siguruar pas raportimit.

“Pas disa telefonatash dhe kontaktesh me institucionet, më informuan që 48 bombola me oksigjen janë siguruar për Spitalin Rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë për sonte. Kjo gjendje që po ndodh jo rrallë herë në spitalet tona duhet të marrë fund duke siguruar sasi të mjaftueshme për shërbim dhe sasi të konsiderueshme rezervë për përdorim emergjent të oksigjenit. Nuk i meritojnë pacientët këto situata panike sepse mjaftueshëm shqetësim kanë nga virusi. Shërim të shpejtë gjithë të infektuarve dhe dhashtë Zoti që të mos kemi më viktima në vendin tone”, ka thënë ai. 

(Kosova Sot Online)