Kina kundër Izraelit: Zgjidhja me dy shtete, drejtimi i duhur për çështjen palestineze

  • E.K /
  • 03 December 2020 - 12:31
Kina kundër Izraelit: Zgjidhja me dy shtete, drejtimi i duhur për çështjen palestineze

Kina e ka rikonfirmuar përkrahjen e saj për çështjen e Palestinës dhe për kthimin e të drejtave legjitime për popullin palestinez.

Gjatë një konference për gazetarë të mërkurën, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Kinës, Hua Chunying, tha se vendi i saj beson që çështja palestineze është e rëndësishme për paqen dhe stabilitetin rajonal, drejtësinë ndërkombëtare dhe ndërgjegjen njerëzore.

“Komuniteti ndërkombëtar duhet të qëndrojë pas së drejtimit të duhur të “zgjidhjes me dy shtete” dhe të përpiqet që ta promovojë procesin e paqes në Lindjen e Mesme mbi bazën e rezolutave përkatëse të Kombeve të Bashkuara, parimin e “tokës për paqe” dhe konsensuseve tjera ndërkombëtare”, tha kjo zyrtare.

Ajo shtoi se Pekini e ka ndjekur për së afërmi çështjen palestineze dhe i ka përkrahur përpjekjet që lidhen me zgjidhjen paqësore të çështjes, shkruan Anadolu.

“Si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit dhe si vend i përgjegjshëm, Kina ka vullnet që ta vazhdojë punën me komunitetin ndërkombëtar për përpjekje për realizim të hershëm të një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe afatgjate për çështjen palestineze”, shtoi zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Kinës.

Ajo gjithashtu njoftoi se Kina do të vazhdojë të ofrojë asistencë për Palestinën në luftën kundër pandemisë.

(Kosova Sot Online)