Deputeti i VV-së: Shteti dështoi në rastin e deputetit që vuri në dyshim legjitimitetin e Qeverisë

  • A.P /
  • 03 dhjetor 2020 - 17:47
Deputeti i VV-së: Shteti dështoi në rastin e deputetit që vuri në dyshim legjitimitetin e Qeverisë

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi ka folur për seancën e djeshme dëgjimore të Kushtetueses për çështjen e ligjshmërisë së votës së deputetit Etem Arifi në votimin e Qeverisë “Hoti”.

“Argumentet tona qëndrojnë për shkak që situata është shumë e qartë. Një deputet që është i dënuar dhe për mashtrim ka qenë i dënuar me vendim të formës së prerë prej 1 vjet e tre muaj dhe kriteret ligjore thonë që një deputet e humb mandatin kur është i dënuar me vendim të formës së prerë”, ka thënë Abrashi.

Deputeti i VV-së ka thënë se nuk e kupton se si kanë dështuar instancat shtetërore në mos arritjen e identifikimit të një rasti të tillë.

“Kuvendi i Kosovës është njoftuar dhe pyetja jonë është se si është e mundshme që mekanizmat shtetëror kanë dështuar kaq keq në këtë çështje. Pra këto institucionet tona a bëjnë ndonjë vlerësim paraprak se kandidatët a i plotësojnë kushtet për të kandiduar apo të formohet një komision ad hoc për të vlerësuar se a mund të kandidoj apo jo një kandidat”, ka thënë ndër të tjera Abrashi.

Sipas tij problemi qëndron që Arifi ka votuar në një proces të rëndësishëm pavarësisht që kishte një vendim të formës së prerë.

“Ne mendojmë që deputeti ka qenë prezent në sallë dhe ka pasur votë përcaktuese në një proces duke pasur një vendim të formës së prerë”, ka deklaruar ai.

Abrashi theksoi se vota e deputetit Arifi e vuri në dyshim legjitimitetin e Qeverisë.

“Kemi të bëjmë me një proces që ka vënë në dyshim legjitimitetin e Qeverisë”, ka deklaruar ai. 

(Kosova Sot Online)