Belgjika nuk ia njeh statusin një xhamie, dyshon se në të po veprojnë spiunë marokenë

  • E.K /
  • 04 December 2020 - 15:00
Belgjika nuk ia njeh statusin një xhamie, dyshon se në të po veprojnë spiunë marokenë

Qeveria e Belgjikës ka refuzuar që Xhamia e Madhe e Brukselit të ketë status të komunitetit religjioz lokal me arsyetimin se në këtë vend adhurimi janë të infiltruar spiunët marokenë.

Vendimin për t’ia refuzuar statusin kësaj xhamie e mori ministri belg i Drejtësisë, Vincent Van Quickenborne, pas këshillave të shërbimeve të sigurisë. Statusi i komunitetit religjioz siguron përkrahje financiare nga qeveria.

Dyshohet se tre punëtorë në Xhaminë e Madhe të Brukselit, përfshirë një drejtor, janë agjentë të shërbimeve marokene të inteligjencës, shkruan The Guardian.

“Unë nuk mundem dhe nuk do të pranoj që regjimet e huaja ta marrin peng Islamin për motive ideologjike apo politike, që ta marrin kontrollin këtu dhe t’ua pamundësojnë myslimanëve në vendin tonë zhvillimin e Islamit të tyre progresiv. Duke e mbajtur gojën mbyllur për këtë, unë nuk po i bëj favor askujt, qartazi as myslimanëve në vendin tonë”, tha ministri Van Quickenborne.

Autoritetet belge filluan të përqendrohen në këtë xhami, që është më e madhja në Bruksel, pas sulmeve të vitit 2016, kur kishin mbetur të vrarë 32 persona.

Në mars të këtij viti, frika se xhamia po përdorej për ta promovuar radikalizmin e nxiti qeverinë që t’i jepte fund marrëveshjes që kontrollin e saj ta kishte Arabia Saudite.

Ndërhyrja e fundit e qeverisë nënkupton që xhamia duhet të regjistrohet përsëri si vend i adhurimit. Xhamia ishte nën kontrollin e Arabisë Saudite që nga viti 1969.

(Kosova Sot Online)