Ish ministri i Financave dënohet me tetë vjet burgim për korrupsion të nivelit të lartë

  • S.A /
  • 05 December 2020 - 09:45
Ish  ministri i  Financave  dënohet  me tetë vjet burgim për korrupsion të nivelit të lartë

Ish-ministri austriak i Financave, Karl-Heinz Grasser, është dënuar me tetë vjet burgim për një skandal të korrupsionit të lartë.

Ai të premten u shpall fajtor për përvetësim, marrje të ryshfetit dhe falsifikim të dëshmive në një marrëveshje për shitjen e mijëra banesave që ishin në pronësi të shtetit, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.

Gjykata në Vjenë tha se ish-ministri Grasser ka qenë i përfshirë në pagesa prej më shumë se nëntë milionë eurosh. Sidoqoftë, ai i ka mohuar akuzat gjatë procesit të gjykimit.

Grasser ishte bërë ministri i Financave më i ri në moshë në historinë e Austrisë në vitin 2000, kur në moshën 31-vjeçare ishte emëruar në postin e lartë të këtij shteti.

Rasti gjyqësor ku ishte pjesë ish-ministri përfshin 14 të pandehur, të cilët akuzohen për shkelje të ndryshme, përfshirë pastrimin e parave, mashtrimin dhe falsifikimin e dëshmive.

Gjykata tha se Grasseri dhe një ndërmjetës ofruan të dhëna rreth një ankandi për privatizimin e 60 mijë banesave. Ky veprim ia mundësoi një rivali paraqitjen e një oferte pak më të mirë për të fituar në ankand.

Një kompani i kishte blerë banesat për 961 milionë euro, ndërsa tre vjet më vonë, ato u vlerësuan me shifër dyfish më të lartë, transmeton Gazeta Express.

Sipas gjykatës, kompania fituese ua dha 1 për qind të shumës së blerjes apo 9.6 milionë euro ish-sekretarit të përgjithshëm të Partisë së Lirisë së Austrisë, Walter Meischberer, dhe lobuesit Peter Hochegger. Edhe këta dy persona u dënuan me burg. Gjykata zbuloi se të hollat e ryshfetit ishin ndarë në tri pjesë në një llogari bankare në Lihtenshtajn.

Raportohet se vendimi i gjykatës u mbështet në deklaratat e qindra dëshmitarëve si dhe në bisedat telefonike të të akuzuarve, që janë përgjuar nga shteti.

Gjykatësja e rastit, Marion Hohenecker, tha: “Ata që bëjnë biznes në mënyrë të sinqertë nuk kanë nevojë për llogari në Lihtenshtajn”, duke shtuar se suksesi i aplikuesit në ankand është arritur përmes ryshfetit dhe është mundësuar vetëm përmes abuzimit të qëllimshëm të autoritetit nga ish-ministri Grasser.

(Kosova Sot Online )