Policia vret 25-vjeçarin në Tiranë: Nuk ndaloi, u duk se na drejtoi një armë

  • E.K /
  • 08 December 2020 - 08:11
Policia vret 25-vjeçarin në Tiranë: Nuk ndaloi, u duk se na drejtoi një armë

Policia e Shtetit ka vrarë një person pas mesnate, kur kishte hyrë datë 8 dhjetor, në rrugën “Dritan Hoxha” në Tiranë.

Viktima është një 25-vjeçar me iniciale K.R që fillimisht u plagos nga oficerët por më pas humbi jetën në spital.

Rrethanat e vrasjes së tij janë duke u hetuar, ku viktima është qëlluar nga policët pasi atyre iu është dukur sikur iu drejtoi një armë zjarri.

Në njoftimin zyrtar të Policisë së Shtetit thuhet:

“Me datë 08.12.2020, rreth orës 01:45, sherbimet e Policisë gjatë patrullimit në rrugën “Dritan Hoxha”, kanë konstatuar një shtetas i cili kryente veprime të dyshimta.

Punonjësit e Policisë i kanë bërë thirrje të ndalonte por personi nuk i është bindur urdhërit të Policisë për të ndaluar.

Edhe pas thirrjeve të vazhdueshme të bëra nga ana e Punonjësit të Policisë për të ndaluar përsëri nuk ka ndaluar dhe është larguar me vrap duke i drejtuar punonjësit të policisë një send të forte, në dukje armë zjarri.

I gjendur në këto kushte dhe në mungesë të ndriçimit të plotë punonjësi i policisë ka qëlluar me armë zjarri dhe për pasojë ka mbetur i plagosur shtetasi K.R., 25 vjeç i cili ka humbur jeten në spital.

Menjeherë është ngritur Grupi i Posaçëm Hetimor i përbërë nga SHÇBA dhe Policia.

Prokurori ndodhet në vendngjarje dhe po ndjek e monitoron të gjitha veprimet që po kryhen nga Sherbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në MB dhe nga Policia për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

(Kosova Sot Online)