Albin Kurti: Kosova ka nevojë për rilegjitimim të institucioneve përmes zgjedhjeve të reja

  • E.K /
  • 09 December 2020 - 11:46
Albin Kurti: Kosova ka nevojë për rilegjitimim të institucioneve përmes zgjedhjeve të reja

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka deklaruar se Kosova ka nevojë për rilegjitim të institucioneve, e kjo sipas ish-kryeministrit bëhet duke shkuar në zgjedhje të reja.

Këto komente, Kurti i ka bërë përmes një shkrimi në Facebook.

Aty ai ka bërë të ditur se mbrëmë ka pasur një takim me drejtorin e Global Europe Progam, në kuadër të Ëilson Center me bazë në ShBA, Daniel Hamilton, dhe me dhjetëra ekspertë të ndryshëm ndërkombëtar nga Grupi Punues për Ballkanin Perëndimor në kuadër të kësaj Qendre.

“ I shoqëruar nga Sekretari ynë për Marrëdhënie me Jashtë, Kreshnik Ahmeti, prezantova mbi përvojën dhe sfidat e qeverisjes sonë në nivelin qendror në pranverën 2020, mbi përgatitjet tona në kuadër të qeverisjes alternative me pesë shtylla përkatëse të saj, dhe mbi rezultatet e suksesshme elektorale në Besianë e në komunën veriore të Mitrovicës që konfirmuan rritjen e madhe të VETËVENDOSJE!-s”, ka thënë ai.

Kurti shton se dialogu me Serbinë ka qenë gjithashtu një nga temat e takimit.

“Situata në Ballkanin Perëndimor dhe dialogu me Serbinë ishin po ashtu ndër temat kryesore të takimit. Aty paraqita qëndrimin tonë se dialogu duhet të jetë parimor dhe i definuar mirë, se Kosova ka nevojë për rilegjitimim të institucioneve përmes zgjedhjeve të reja, kurse Serbia ka nevojë për demokratizim dhe ballafaqim me të kaluarën. Gjithashtu, theksova se nuk duhet të synohet medoemos një përmbyllje e shpejtë e dialogut, por duhet t’i japim përparësi përmbajtjes, transparencës dhe gjithëpërfshirjes.

Për ne ishte shumë e vlefshme t’i dëgjojmë mendimet dhe analizat e pjesëmarrësve mbi çështjet e shumta të diskutuara, si situata politike në ShBA, shanset e restaurimit të raportit trans-atlantik për rajonin tonë, niveli i ndikimit të Rusisë dhe Kinës në Ballkanin Perëndimor dhe masat për parandalimin dhe kufizimin e ndikimit të tyre autoritar etj. Në fund të diskutimit, u pajtuam që ta thellojmë bashkëpunimin tonë në të ardhmen”, tha Kurti.

(Kosova Sot Online)