Italia ngre aktakuzë ndaj 4 agjentëve të sigurisë në Egjipt për vrasjen e studentit Giulio Regeni

  • E.K /
  • 10 December 2020 - 13:52
Italia ngre aktakuzë ndaj 4 agjentëve të sigurisë në Egjipt për vrasjen e studentit Giulio Regeni

Prokurorët italianë zyrtarisht kanë ngritur aktakuzë kundër katër pjesëtarëve të Agjencisë Kombëtare të Sigurisë në Egjipt për rrëmbimin dhe vrasjen e studentit italian të doktoratës, Giulio Regeni, në Kajro.

Prokurorët në Romë i akuzuan zyrtarët Tariq Saber, Athar Kamel Mohamed Ibrahim, kapitetin Uhsam Helmi dhe majorin Magdi Ibrahim Abdelal Sharif për rrëmbimin e studentit të ri në vitin 2016, ndërsa Sharif akuzohet edhe për lëndim të rëndë trupor dhe vrasje.

Zyrtarët italianë njoftuan se janë hedhur poshtë akuzat kundër një zyrtari të pestë, të quajtur Mahmoud Najem, i cili më herët cilësohej si i dyshuar për zhdukjen e studentit, shkruan The Guardian.

Trupi i Regenti ishte gjetur afër një autostrade jashtë Kajros në shkurt të vitit 2016. Kufoma kishte shenja të torturës, që besohet se i ishin shkaktuar nga forcat egjiptiane të sigurisë. Sidoqoftë, pesë vjet pas gjetjes së trupit, zyrtarët egjiptianë i kanë penguar përpjekjet e Italisë për hetime duke i zvarritur përgjigjet për të dhënë dëshmi te prokurorët italianë.

Autoritetet egjiptiane gjithashtu kanë pretenduar se në vrasjen e studentit italian kanë qenë të përfshira grupet politike armike dhe një banë. Vendimi për ngritje të aktakuzës do të marrë përsëri vëmendje botërore dhe paraqet rast të rrallë ku autoritetet egjiptiane të sigurisë do të mbahen përgjegjëse.

Përmes një deklarate të publikuar muajin e kaluar, prokurori publik i Egjiptit tha se i ka pezulluar hetimet për këtë rast dhe se autori i vrasjes së studentit mbetet i panjohur.

Vrasja brutale e këtij studenti kishte bërë që raportet mes Italisë dhe Egjiptit të tensionoheshin. Italia e kishte tërhequr ambasadorin e saj nga Egjipti, ndërsa Dhoma e Ulët e Kuvendit të Italisë më 2017 i ndërpreu raportet me Dhomën e Ulët të Kuvendit të Egjiptit.

Ndryshe, forcat egjiptiane të sigurisë njihen për vrazhdësinë e tyre dhe shteti nuk i ka dënuar zyrtarët e akuzuar për krime kundër civilëve. Sipas Komisionit Egjiptian për të Drejta dhe Liri, forcat e sigurisë i kanë zhdukur 2.723 persona nga viti 2015.

(Kosova Sot Online)