Paralajmërimi i frikshëm i shkencëtarëve: Janë mbi 1.7 milionë viruse tjera për të cilat s’kemi njohuri

  • E. /
  • 10 December 2020 - 13:38
Paralajmërimi i frikshëm i shkencëtarëve: Janë mbi 1.7 milionë viruse tjera për të cilat s’kemi njohuri

Shkencëtarët e biodiversitetit në të gjithë botën paralajmërojnë se për të parandaluar pandemitë, duhet të mbrohen ekosistemet.

A është e mundur të parashikohet pandemia e radhës? Disa vjet më parë një studim që shtroi këtë pyetje i dha përgjigjen “Jo”, për shkak të shumë faktorëve të përfshirë në përhapjen e një epidemie në të gjithë botën. Një workshop i thirrur nga Platforma Ndërqeveritare e Politikës së Shkencës për Biodiversitetin dhe Shërbimet e Ekosistemit, IPBES, ku morën pjesë 22 ekspertë botërorë, jep një përgjigje tjetër: Pandemitë e ardhshme jo vetëm që nuk mund të parashikohen, por është detyra jonë të miratojmë politika të reja për të siguruar që të mos shfaqen shumë prej tyre.

Mënyra në të cilën ne modifikojmë mjedisin në të cilin jetojmë, duke e përshtatur atë me nevojat tona, ndikon në përhapjen e patogjenëve të rinj dhe lehtëson kapërcimin e specieve, nga kafshët te njerëzit.

Nipah, SARS, Ebola, SARS-CoV-2 janë të gjitha viruse që janë rezultat i shoqërisë moderne, shkatërrimit të habitateve të kafshëve dhe bashkëjetesës së detyruar midis kafshëve dhe njerëzve. Koronavirusi i ri i Covid-19 është vetëm një pjesë jashtëzakonisht e vogël e botës së viruseve. Vlerësohet se gjitarët dhe zogjtë mbartin 1.7 milionë viruse të ndryshme që janë akoma “të panjohura”, dhe se mbi 800 000 mund të bëjnë kapërcimin e specieve.

“Të njëjtat aktivitete njerëzore që shkaktojnë ndryshimin e klimës dhe humbjen e biodiversitetit rrisin rrezikun e pandemive në të ardhmen”, shpjegon Peter Daszak, kryetari i seminarit. Zgjerimi dhe intensifikimi i bujqësisë, prodhimit, tregtisë dhe konsumi i produkteve të paqëndrueshme janë të gjithë faktorë që kontribuojnë në rritjen e rrezikut të pandemive.

Sipas ekspertëve, është e nevojshme të ndryshohet strategjia, të ndërhyhet para se të shfaqet përsëri një situatë globale e urgjencës shëndetësore si ajo që po përjetojmë. Për ta bërë këtë, IPBES propozon krijimin e një këshilli ndërqeveritar që merr vendimet e sakta për shëndetin botëror, duke identifikuar gjithashtu zonat më të rrezikuara nga epidemitë në mënyrë që të ndërhyjë në një mënyrë të planifikuar. “Covid na ka treguar qartë rëndësinë e një dialogu profesional midis politikës dhe shkencës”, nënvizon Anne Larigauderie, sekretare ekzekutive e IPBES.

Parandalimi i pandemive të reja, përveç që është themelor për shëndetin global, ka edhe përparësi ekonomike. Vlerësohet se pandemia Covid-19 i ka kushtuar botës, vetëm në shtatë muajt e parë të vitit 2020, nga 8 në 16 trilionë dollarë. Sipas ekspertëve, kostot e parandalimit do të ishin 100 herë më të ulëta se ato të nevojshme për t’iu përgjigjur një pandemie tashmë të vazhdueshme. Kështu që është një arsye më shumë për të investuar në parandalimin në botën post-covid dhe për të mos e gjetur veten, në të ardhmen, duke thënë “është shumë vonë”.

(Kosova Sot Online)