Petar Petkoviq insiston për Asociacionin, edhe sot provoi ta vendos në diskutim në takimin e Brukselit

  • E.K /
  • 10 December 2020 - 15:14
Petar Petkoviq insiston për Asociacionin, edhe sot provoi ta vendos në diskutim në takimin e Brukselit

Drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq tha se pala serbe e ngriti çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe sot në Bruksel.

“Kanë kaluar 2,800 ditë dhe Asociacioni nuk është formuar që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Brukselit. Për ne, kjo është një çështje kryesore, dhe nëse po flasim për vazhdimin e suksesshëm të dialogut, është e nevojshme që të formohet Asociacioni”, tha ai.

Petkoviq u tha gazetarëve në Bruksel se në raundin e sotëm të negociatave, u fol për pretendime pronësore dhe financiare.

“Kjo është çështje shumë e rëndësishme dhe është mirë që pas shtatë vjet e gjysmë po flasim për pronën, është një çështje shumë e ndjeshme, e madhe dhe komplekse”, tha ai.

Sipas tij, pozicionet e Beogradit dhe Prishtinës për çështjen e financave dhe pronës ishin shumë larg njëra-tjetrës.

“Ne propozuam që së pari t’i përcaktojmë parimet dhe kjo është arsyeja pse kemi ardhur me dokumentacion të gatshëm se si do ta vendosim sistemin me fushën, parimet, mekanizmat dhe organet, në mënyrë që të mund të flasim posaçërisht për pronën”, u shpreh Petkoviq.

“Ne do të përpiqemi ta bëjmë më të mirën për të zgjidhur këtë çështje të rëndësishme në periudhën para nesh. Duke ngritur çështjen e pronës, ne po kontribuojmë në zgjidhjen e përgjithshme të të gjitha problemeve të tjera”, shtoi ai.

Siç përmendi ai, vazhdimi i dialogut është shumë i rëndësishëm për Serbinë.

“Dialogu është i rëndësishëm për ne, sepse përmes dialogut dhe bisedave që janë të vështira, ato janë të tilla që ndonjëherë të dhemb barku, por është më mirë, ta kesh atë në Bruksel në tryezën e bisedimeve sesa të kesh incidente në terren”, tha ai.

(Kosova Sot Online)