Zhbllokohet buxheti i BE-së, Hungaria dhe Polonia lëshojnë pe

  • G.G /
  • 11 December 2020 - 13:08
Zhbllokohet buxheti i BE-së, Hungaria dhe Polonia lëshojnë pe

Buxheti prej 1.8 trilion eurosh i Bashkimit Evropian për shtatë vjetët e ardhshme si dhe fondet e rimëkëmbjes janë zhbllokuar pasi Hungaria dhe Polonia i tërhoqën ankesat e tyre në lidhje me kushtëzimin e qasjes në fonde me sundimin e ligjit.

Gjatë një samiti në Bruksel, kryeministri hungarez, Viktor Orban, dhe homologu i tij polak, Mateusz Moraëiecki, i dhanë përkrahje kompromisit të hedhur në tavolinë nga Berlini pas disa muajve të mosmarrëveshjeve dhe grindjeve destabilizuese.

“Tash ne mund të fillojmë me zbatimin dhe t’i rindërtojmë ekonomitë tona. Pakoja jonë e rimëkëmbjes do t’i çojë përpara tranzicionin digjital dhe tranzicionin e gjelbër”, shkroi në rrjetet sociale presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.

Hungaria dhe Polonia kishin refuzuar që ta lejonin shpërndarjen e buxhetit për shkak të kundërshtimit të mekanizmit që e lidhte qasjen në fonde me sundimin e ligjit, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.

Sipas përfaqësuesve të këtyre shteteve, ky mekanizëm ishte ligjërisht i paqartë dhe do të mund të përdorej për t’i ndëshkuar Varshavën dhe Budapestin për dallimet politike, përfshirë qëndrimet për migracionin dhe trajtimin e komunitetit LGBT.

(Kosova Sot Online)