Daniel Serwer: Vuçiqi nuk do ta njohë Kosovën, do të duhet ta presim dikë tjetër që do ta bëjë

  • E.K /
  • 15 December 2020 - 12:28
 Daniel Serwer: Vuçiqi nuk do ta njohë Kosovën, do të duhet ta presim dikë tjetër që do ta bëjë

Profesori i Universitetit “John Hopkins” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Daniel Serwer ka thënë se amerikanët dhe evropianët duhet të punojnë së bashku për ta zgjidhur çështjen e Kosovës pasi sipas tij është e qartë që asnjëra prej tyre s’mund ta bëjë këtë vetëm.

Serwer foli pas debatit të javës së kaluar në Kongresin Amerikan ku mori pjesë edhe ai, gjatë së cilës pjesëmarrësit ranë dakord që Serbia duhej të njihte Kosovën dhe se duhej të bëhej anëtare e OKB-së.

Ai tha se beson që Vuçiq nuk do ta njohë Kosovën dhe se për këtë vendim duhet të pritet të vijë një president tjetër.

“(Presidenti i Serbisë, Aleksandar) Vuçiq tha qartë se nuk do të ishte presidenti serb që do ta njohë Kosovën. Unë mendoj se ai ishte serioz. Mendoj se duhet të jemi të gatshëm të presim presidentin i cili do ta bëjë këtë nëse do të jetë e nevojshme. Në ndërkohë, ne do të duhet të mendojmë për një marrëveshje të ndërsjellë, por vetëm nëse Kosova bëhet anëtare e OKB-së”, tha ai.

Sipas tij, Bashkimi Evropian duhet të ndërmjetësojë në dialogun Kosovë-Serbi.

“Unë mendoj se kam thënë disa gjëra të reja për Prishtinën dhe Beogradin… Unë mendoj se amerikanët duhet të jenë në një rol mbështetës kur flasim për dialogun (për normalizimin e marrëdhënieve midis dy palëve)… Unë mendoj se BE-ja duhet të jetë një ndërmjetësues në dialog. Ka më shumë ndikim mbi ata”, tha Serwer.

Ai shtoi se “një nga mesazhet e këtyre bisedimeve, siç e kuptuan amerikanët, dhe shumë evropianë gjithashtu, është se ato duhet të rezultojnë në njohjen reciproke dhe shkëmbimin e ambasadave. 

(Kosova Sot Online)