Në Speciale sot mbahet seancë për rastin e Thaçit, Veselit, Selimit e Krasniqit

  • E.K /
  • 17 December 2020 - 08:09
Në Speciale sot mbahet seancë për rastin e Thaçit, Veselit, Selimit e Krasniqit

Gjykata Speciale do të mbajë seancë të re ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

Seanca do të fillojë sot në orën 11:00.

E njëjta do të jetë si një konferencë mbi ecurinë e çështjes, ashtu siç ishte mbajtur më 18 nëntor.

Gjyqtari i procedurës paraprake me këtë rast ka kërkuar nga mbrojtja që të dërgojë parashtresat me shkrim deri më 15 dhjetor në orën 16:00.

Po ashtu, ka kërkuar nga Prokuroria e Specializuar që të njëjtat t’i dërgojë deri më 14 dhjetor në orën 16:00.

Gjykatësi i procedurës paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës e konfirmoi aktakuzën kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit më 26 tetor 2020.

Në pajtim me rregullën 88(2) të Rregullores së Procedurës dhe të Provave para Dhomave të Specializuara të Kosovës, aktakuza e konfirmuar nuk u bë publike në atë moment.

Në aktakuzën e konfirmuar thuhet se së paku midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 u kryen krimet e luftës të arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes.

Krimet që paraqiten në aktakuzë u kryen në disa vende në Kosovë si edhe në Kukës dhe Cahan në Shqipërinë Veriore dhe u kryen nga anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (“UÇK”) kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë aktive në luftime.

Ndër viktimat përfshihen persona që dyshoheshin si kundërshtarë të UÇK-së dhe më vonë të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, konkretisht: (i) serbë, romë dhe ashkalinj; (ii) katolikë; (iii) civilë për të cilët pretendohej se bashkëpunonin me autoritetet serbe ose që pretendohej se kontaktonin me serbë; (iv) shqiptarë që ishin anëtarë ose përkrahës të Lidhjes Demokratike të Kosovës ose të partive të tjera që konsideroheshin se ishin kundër UÇK-së; (v) shqiptarë që nuk iu bashkuan ose nuk përkrahnin UÇK-në; dhe (vi) individë të punësuar ose të punësuar të mëparshëm që konsideroheshin kundër UÇK-së.

Në aktakuzën e konfirmuar pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi mbajnë përgjegjësi penale si individë në bazë të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale për krimet e paraqitura në aktakuzë, që u kryen në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe në kuadrin e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave të dyshuar si kundërshtarë të UÇK-së.

(Kosova Sot Online)