ShBA-ja miraton konsumimin e mishit të derrit të modifikuar gjenetikisht

  • E.K /
  • 17 December 2020 - 13:17
ShBA-ja miraton konsumimin e mishit të derrit të modifikuar gjenetikisht

Shtetet e Bashkuara e kanë miratuar përdorimin e mishit të derrave të modifikuar gjenetikisht si ushqim dhe për qëllime mjekësore, duke nxitur reagime të ndryshme. Para pesë vjetëve, ShBA-ja e miratoi edhe përdorimin e salmonit të modifikuar gjenetikisht.

Administrata e Ushqimit dhe Ilaçeve e Shteteve të Bashkuara këtë javë e miratoi konsumimin e derrave që janë modifikuar për t’ua eliminuar nga trupi sheqerin e quajtur alpha-gal, që mund të shkaktojë reaksione alergjike.

Ky institucion njoftoi se për herë të parë e ka miratuar përdorimin e mishit të një kafshe të modifikuar gjenetikisht, duke e shpallur të sigurt për t’u ngrënë nga popullsia e përgjithshme. Në njoftim thuhet se ky mish mund të shitet edhe përmes postës, shkruan The Guardian.

Sidoqoftë, zëdhënësi i kompanisë ku janë kultivuar derrat e modifikuar gjenetikisht tha se nuk synohet që mishi i tyre të shitet në mënyrë të drejtpërdrejtë. Sipas tij, qëllim më parësor është transplantimi i organeve për pacientët me sindromin alpha-gal.

“Jemi duke shikuar për bashkëpunim të mundshëm me prodhuesit e mishit, por nuk kemi plane të shesim vetë mish”, tha zëdhënësi, duke shtuar se shpërndarja masive tash për tash është e pamundshme.

Një zëdhënës i Administratës Evropiane për Ushqimin dhe Sigurinë tha se deri më tani nuk është autorizuar hedhja në treg e asnjë lloj mishi të kafshëve të modifikuara gjenetikisht dhe se nuk është pranuar asnjë aplikacion për miratim.

(Kosova Sot Online)