Avdullah Hoti thotë se LDK’ja është favorit kryesor për t’i fituar zgjedhjet

  • E.K /
  • 23 December 2020 - 14:08
Avdullah Hoti thotë se LDK’ja është favorit kryesor për t’i fituar zgjedhjet

Kryeministri Avdullah Hoti është shprehur i bindur se Lidhja Demokratike e Kosovës do të dalë partia e parë në zgjedhjet që do të mbahen pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Hoti tha se janë favorit për të fituar zgjedhjet dhe se tash u mbetet që ta përgatisin një listë për të kandiduar në zgjedhje.

“Të gjitha i diskutojmë, tani jemi në përgatitje për të shkuar në zgjedhje. Nëse i shihni veprimet që i kemi ndërmarrë për 6, 7 muaj në krye të Qeverisë ne jemi favoriti kryesor për t’i fituar këto zgjedhje. Ju e dini si e kemi gjetur vendit plotësisht të bllokuar, me sanksione ndërkombëtare. E kemi hapur komplet, e kemi menaxhuar pandeminë në mesin e tri katër vendeve që e ka menaxhuar më së miri. Unë jam i bindur që jemi favoriti për ti fituar zgjedhjet, tash kemi përpara për të përgatitur një listë”, tha ai.

Hoti tha se beson që shumë shpejt do të dakordohen me grupet parlamentare për ta miratuar buxhetin e vitit 2021.

“Jemi duke diskutuar, besoj që së shpejti do të dakordohemi. Nga dje kemi filluar bisedën me të gjitha grupet parlamentarë për të kërkuar që të bëhemi bashkë që të kalojmë buxhetin, përfshi edhe LVV-në. Është tepër e rëndësishme të mos hyjmë në janar pa buxhet të miratuar sepse do të kemi vështirësi të panumërta”, tha ai.

Hoti u pyet edhe për 2.1 milionë euro të Thesarit të Shtetit, për çka tha se çështja është duke u hetuar dhe se pret të ketë rezultate së shpejti.

Këto komente Hoti i bëri në hapjen e ekspozitës “Rezistenca paqësore dhe shtetndërtimi 1989-1999”.

(Kosova Sot Online)